Ish-kryeministri Sali Berisha e ka injoruar thirrjen e Gjykatës së Posaçme për të dëshmuar në orën 14:00 për privatizimin e kompleksit Partizani, por ka dalë në konferencë për mediat nga selia e Partisë Demokratike.
Berisha tha se në këtë konferencë do të shpjegonte të vërtetën e përdorimit të Letrave me Vlerë, për të cilat akuzohet se i ka futur në përdorim për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, për privatizimin e kompleksit Partizani.
Ai tregoi se ka dekretuar në vitin 1995 emetimin dhe shpërndarjen e tyre, nga të cilat përfituan rreth 1.3 milionë shqiptarë. Një variant i tyre ishin edhe Lekët e Privatizimit, të cilat i morën ish të përndjekurit, të cilët i përdorën për privatizimin e mijërave objekteve dhe dhjetëra sipërmarrjeve, e për blerjen e banesave.
Sipas tij, Jamarbër Malltezi nuk përfitoi nga përdorimi i këtyre bonove, pasi ai së bashku me 64 pronarët e tjerë paguan më shumë se 700 mijë dollarë në bankë, ndërsa një pjesë të vogël me anë të këtyre bonove.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Çdo demokrat duhet të ndihet krenar për reformat që ka bërë Partia Demokratike ndër vite. Unë sot do të flas për një nga ato, që falangat e krimit më akuzojnë se kam favorizuar dhëndrin tim, për letrat me vlerë.
Letrat me vlerë u përdorën me sukses të madh fillimisht në Argjentinë dhe më pas në vendet ish-komuniste kudo. Si President, kam dekretuar në vitin 1995 emetimin dhe shpërndarjen e tyre. Bonot e privatizimit janë shpërndarë falas, por në fund të shpërndarjes, 1.3 milionë shqiptarë kanë patur një bono privatizimi në xhep. Një variant i tyre ishin lekët e privatizimit, që iu dhanë të përndjekurve politikë. Ato ishin ekuivalente me lekët. Bonot askurrkund nuk janë identike me vlerën e monedhës, kurse ato që u shpërndan për të përndjekurit, kishin vlerë reale.
Bonot e privatizimit u përdorën për privatizimin e mijërave objekteve dhe dhjetëra sipërmarrjeve, e për blerjen e banesave, legalizimit të tyre. Të përndjekurve lekët iu dhanë si shpërblim për vitet e burgjeve. Funksionuan në mënyrë të përsosur. Me ato lekë, të përndjekurit morën një lloj mbështetje. Në vitin 1997 procesi u ndërpre, por nuk u largua kurrë, dhe në vitin 2020 kjo qeveri dha vendim për përdorimin e tyre.
Në vitin 2008, në prag të privatizimeve që ishin përpara, rikthehet përdorimi i tyre në masën e 10% me bono dhe 20% me lekë. Pronarët blenë rreth 20 miliardë lekë objekte që u privatizuan. Pjesa tjetër konsumoi rreth 120 milionë dollarë sipas një raporti të vitit 2014. Në vitin 200, vendimi për të cilin në mënyrë më të pafytyrë akuzohem për korrupsion, se qenka bërë për të përfituar dhëndri im pronar.
Vendimi nuk kishte asnjë lidhje dhe Jamarbër Malltezi pronar bashkë me 64 pronarë të tjerë, i detyroheshin shtetit 794 mijë dollarë. Ky grup pronarësh, 1 muaj para vendimit, pagoi qindarkë për qindarkë 700 mijë euro fatura bankare. Këta ngelën debitorë 100 mijë dollarë dhe përdorën në total 80 mijë në bono privatizimi. Kjo është e vërteta, të gjitha të tjerat janë shpifje që pompohen nga media të qeverisë në funksion të piramidës së mashtrimit të Edi Ramës dhe prokurorëve të tij.