Sali Berisha akuzon prokurorët: Një grup prej tyre, të lidhur si mishi me thoin me pushtetin kriminal të Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar se një grup prokurorësh janë të lidhur me pushtetin kriminal të kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, akuzat e ngritura nga SPAK nuk janë asgjë tjetër veçse sulme të pushtetit që drejtohet nga Rama të reformave politike të qeverisë së PD-së në mandatin e saj të viteve 2005 – 2009.

Berisha sqaroi dje akuzat mbi vendimin e qeverisë së tij për përdorimin e letrave me vlerë, për të cilat akuzohet se i futi sërish në përdorim për të përfituar dhëndri i tij,

“Dacibao politike ndaj vendimeve kolegjiale dhe ligjeve të parlamentit, në zbatim të programit të qeverisë së PD në mandatin e saj të viteve 2005-2009, për reformat në fushën e pronësisë, ekonomisë, forcave të armatosura, sportit, etj, paraqet fytyrën e vërtetë dhe kriminale të Edi Ramës dhe laro skapistëve të tij.

Përbën përpjekjen më monstruoze të vendosjes së kontrollit politik policesk mbi veprimtarinë e qeverisë dhe parlamentit nga një grup prokurorësh të lidhur si mishi me thoin me pushtetin kriminal të Edi Ramës.
Dëshmon se çdo pushtet përcaktohet dhe kontrollohet nga Edi Rama përmes 4-5 larove të tij skapistë. Dacibao e djeshme ndaj reformave, nga të cilat kanë përfituar qindra-mijëra dhe në disa raste, mbarë shqiptarët, e bën këtë çështje procesin politik të shekullit.

Dje ju njoha ju me njohjen monstruoze të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë, që shkruanin në dacibaon e tyre se vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë për pagesën në masën 80 përqind të shumës në blerjen e objekteve të privatizuara, nga i cili kanë përfituar qindra e mijëra shqiptarë, duke blerë objekte në privatizim, legalizuar banesat e tyre dhe destinacione të tjera.

Ky vendim sipas tyre qenka marrë për të ndihmuar dhëndrin tim, i cili kishte paguar në të holla 88.6 përqind të shumës për blerjen e objekteve të ndërtuara nga shteti komunist në tokën e familjes së tij, të grabitur 50 vite më parë.
Dhe ky vendim doli një muaj pasi ata kishin paguar 88.6 përqind të shumës për objekte të ndërtuara në tokën e konfiskuar për 50 vite më radhë”, u shpreh ai.