Sabotazhi që vjen nga brenda: PS përballë një krize të heshtur

Në prag të zgjedhjeve të majit 2025, një dukuri shqetësuese po bëhet gjithnjë e më e dukshme brenda Partisë Socialiste të Shqipërisë: përplasjet e brendshme mes kandidatëve të së njëjtës listë elektorale. Fenomeni i votës preferenciale, që u mendua si një mjet demokratizimi i partive dhe forcimi i lidhjes qytetar-përfaqësues, po rezulton në një armë me dy tehe, ku lufta për mbijetesë politike po kthehet në luftë të hapur mes bashkë-partiakëve.

Rasti më i freskët që e pasqyron këtë krizë të brendshme është ai i Erion Braçes dhe Anila Shehut në Njësinë 5 të Tiranës. Braçe, i emëruar rishtas si drejtues politik i zonës, ka ndërmarrë një veprim të pazakontë: ka akuzuar publikisht ish-kryetaren e njësisë për sabotim të fushatës, madje ka kërcënuar edhe me kallëzim penal kundër saj. Në një klimë normale politike, ky do të ishte një zhvillim tronditës. Brenda PS-së, ai është simptomë e një prishjeje më të thellë të kohezionit të brendshëm.

Kur një parti lufton më shumë me veten se me kundërshtarët

Partia Socialiste ka qenë historikisht e suksesshme në mbajtjen e një uniteti të brendshëm, të paktën në dukje, falë një disipline të hekurt dhe frikës ndaj kryetarit, që prej 12 vitesh është edhe kryeministër i vendit. Por me hapjen e listave dhe votën preferenciale, ky sistem është vendosur përballë një sfide serioze. Sot, kandidatët e PS-së janë më të fokusuar në garën personale sesa në fitoren kolektive. Ata luftojnë për emrin e tyre, jo për logon e partisë.

Kjo krijon një realitet të ri: fushatat janë gjithnjë e më shumë individuale, shpesh të pavarura nga strategjia e përgjithshme e partisë dhe në shumë raste, në kundërshtim me të. Kandidatët shpenzojnë energji për të ulur vlerën e kolegëve të listës, jo për të bindur të pavendosurit apo për të rritur pjesëmarrjen e elektoratit.

Ajo që dikur shihej si sjellje devijonte, denoncimet publike, përhapja e thashethemeve, sabotimi i aktiviteteve të kolegëve, sot po bëhet pjesë e “normales” brenda fushatave të PS-së. Lufta për votën preferenciale ka shtyrë shumë figura politike drejt një gare të pamëshirshme.

Kjo “kulturë gare”, në vend që të forcojë meritokracinë brenda partisë, po nxjerr në pah çarje të thella, dobësi strukturore dhe mungesë të mekanizmave për të menaxhuar konfliktin.

Rreziku për PS-në

Kur një parti fillon të shkatërrohet nga brenda, ajo i humbet të gjitha avantazhet që i jep pushteti, organizimi dhe tradita. Ndërkohë që opozita është ende në kërkim të konsolidimit, përplasjet e brendshme e ekspozojnë PS-në si një formacion politik që nuk është më në gjendje të ruajë vetëdisiplinën. Kjo nuk është thjesht çështje imazhi, por e kapaciteteve reale për të qeverisur dhe për të përfaqësuar qytetarët në mënyrë dinjitoze.

Në një periudhë kur elektorati kërkon më shumë transparencë, bashkëpunim dhe etikë në politikë, pamjet e përplasjeve të brendshme, të zgjidhura me akuza dhe përjashtime, përbëjnë një paralajmërim të fortë se mënyra se si PS po e menaxhon garën e brendshme mund të kthehet në bumerang.