Partia Mundësia festoi dje 1 vjetorin e themelimit të saj, një periudhë e mbushur me sfida, angazhim dhe arritje që kanë lënë gjurmë në peizazhin politik shqiptar.
Kjo forcë e re politike, e udhëhequr nga Agron Shehaj, ka synon të ofrojë një alternativë të besueshme për qytetarët që kërkojnë ndryshim dhe mundësi të reja, me njerëz të rinj dhe me integritet, të papërlyer në skandalet e pushtetit.
Në festën e 1 vjetorit, kryetari Agron Shehaj falenderoi të gjithë mbështetësit, që në 11 Maj i dhanë “Mundësisë” 2 mandate në Parlamentin e ardhshëm, pasi Shehajt do t’i bashkohet edhe Erald Kapri.
Nga themelimi deri te festa e 1 vjetorit, ka qenë një rrugëtim sa i bukur, aq edhe i vështirë! Ky është rrugëtimi i Partisë Mundësia:
Iniciativa për një alternativë të besueshme
Pas largimit nga Partia Demokratike si një nga deputetët më të votuar, qëllimi i Agron Shehajt ishte i qartë, që përmes politikës t’u ofronte shqiptarëve mundësitë që ai i gjeti në vendin fqinj, në Itali.
Ideja për krijimin e e një partie të re u pa me pesimizëm nga shumë njerëz, që dyshonin se në Shqipëri mund të kishte një forcë të re politike që mund të rivalizonte “peshqit e mëdhenj”, PS e PD.

Por, së bashku me Erald Kaprin dhe Barbara Dodën fillimisht, e më pas me dhjetëra e qindra mbështetës të tjerë, u vendos që kjo forcë politike të themelohej. Emri i kësaj partie u zgjodh pas një bisede të Shehajt me një kamarier, fjalët e të cilit e çuan atë pas në kohën e universitetit.
“Në një restorant pyeta një kamarier, pse do të ikësh? Më tha: Do iki sepse këtu nuk ka asnjë mundësi, nuk ka asnjë mundësi. Emri i partisë është “Mundësia”. Kanë nevojë për një mundësi, duan thjesht një mundësi, ëndërrojnë një mundësi. Në Shqipëri mundësitë janë në duart e atyre që kanë lidhje me politikën. Unë mendoj se duhet t’u japim një mundësi, nuk duhet t’u japim lëmoshë. Prandaj kemi menduar që emri të jetë mundësia. Unë një nga punët që kamë bërë vetë kur isha në universitet, kam qenë kamarier”, tregoi Agon Shehaj.
1 Qershor 2024, Konventa Themeluese e Partisë Mundësia
Partia Mundësia “mori jetë” zyrtarisht në 1 Qershor 2024 në Pallatin e Kongreseve, në Konventën Themeluese në një sallë të mbushur plot, me më shumë se 2000 të pranishëm.
Në fjalën e tij para qytetarëve, Shehaj premtoi se “Mundësia”, ashtu siç ka emrin, do të jetë një parti mundësish për të gjithë shqiptarët. Do të kthejmë shpresën tek shqiptarët. Do të ngremë një parti politike europiane, të ndershme, eficente, të jashtëzakonshme.
“Një parti që siç ka emrin ashtu do të jetë. Një parti mundësish. Një parti ku njerëzit do të ndihen të përfaqësuar. Do të shkojmë drejt zgjedhjeve me bindjen se ne do sjellim ndryshimin. Se ne do te krijojmë mundësi për të gjithë.
Ne nuk dorëzohemi. Ne do të luftojmë modelin e vjedhjes se mundësive deri në fund. Ne do të luftojmë korrupsionin dhe padrejtësitë çdo ditë. Ne do të luftojmë për vendin tone çdo ditë dhe çdo natë. Së bashku do ia dalim”, shprehej Shehaj.
Nga ajo Konventë, Mundësia filloi të rritej çdo ditë, ku mijëra qytetarë vendosën t’i bashkoheshin një realiteti të ri politik, që dukej shumë ndryshe nga ajo që ishin mësuar të shihnin.

Fushata më e bukur dhe rezultati i 11 Majit
Zgjedhjet e 11 Majit do të mbaheshin në më pak se 1 vit nga themelimi i Partisë Mundësia, çfarë do të thoshte se koha nuk ishte në favorin e tyre.
Rritja e mbështetjes çdo ditë dukej sikur i jepte forcë çdo anëtari të punonte akoma më fort për zgjedhjet e 11 Majit, që do të tregonin edhe besimin që kishin qytetarët te kjo forcë politike.
Pas dorëzimit të listave të kandidatëve dhe refuzimit të çdo bashkëpunimi me partitë e tjera të vjetra apo të reja, Mundësia shkoi në fushatën elektorale me një synim të qartë, të dëgjohej në çdo shtëpi shqiptarësh.
Takime kudo, në qytet apo fshat, në biznese të mëdha e të vogla, brenda dhe jashtë Shqipërisë, me njerëzit që dukeshin gjithmonë e më shumë të interesuar për të mbështetur një forcë të re, që synim kishte t’i bënte shqiptarët t’ia dilnin me punën e tyre.
Një fushatë model, pa ofendime për kundërshtarët, por me program të qartë dhe të kuptueshëm nga të gjithë, me atmosferë pozitive, aq sa pjesa dërrmuese e qytetarëve e cilësuan si “fushatën më të mirë elektorale”.
Pas kësaj fushate të lodhshme, ishte momenti që Mundësia të shihte nëse do të arrinte t’i korrte frytet e gjithë asaj punë në më pak se 1 vit.




Me mbi 43 mijë vota në të gjithë Shqipërinë, qytetarët i dhanë Partisë Mundësia 2 mandate deputetësh. Të dy mandatet u fituan në qarkun e Tiranës, ku Agron Shehaj dhe Erald Kapri morën besimin e qytetarëve për të qenë zëri i tyre në Parlamentin e ardhshëm.
“Tani nuk do të jem i vetëm që do denoncoj skandalet e qeverisë dhe do flas për shqetësimet e qytetarëve. Tashmë do jemi 2, dhe bashkë me Eraldin do bëjmë një opozitë që nuk është parë kurrë në këto 34 vite”, deklaroi Shehaj pas përfundimit të numërimit.
Por, Agron Shehaj dhe Erald Kapri nuk ishin të vetmit që morën besimin e qytetarëve, pasi edhe pse nuk morën mandate, shumë prej kandidatëve të kësaj partie morën pëlqimin e qytetarëve, që i shohin si shpresë për të ardhmen e politikës shqiptare, siç është edhe Barbara Doda, bashkëthemeluese e kësaj force politike.
Pas zgjedhjeve, vjen festa
1 vjetori i themelimit të “Mundësisë” ishte mënyra më e mirë për të festuar edhe rezultatin e arritur në 11 Maj. Qindra anëtarë dhe mbështetës të partisë u bënë pjesë e festës, teksa Agron Shehaj mbajti edhe një fjalim falenderues.

Fjala e Shehaj:
Sot mbushim një vit nga krijimi i një force që ka vetëm një synim: të sjellë mundësi dhe shpresë atje ku për vite të tëra kanë ekzistuar vetëm pengesa, mashtrime dhe padrejtësi.
Dhe sot, jo vetëm që jemi rritur, por jemi bërë edhe më të fortë. Me dy mandate në zgjedhjet tona të para, kemi dëshmuar se në këtë vend ka ende njerëz që besojnë. Që nuk janë lodhur. Që nuk janë blerë. Që shpresojnë. Dhe që, bashkë me ne, kanë nisur të ëndërrojnë.
Ky vit i parë nuk ka qenë i lehtë. Nuk kishim pushtet. Nuk kemi bërë pazare. Nuk jemi përlyer me askënd. Por kemi pasur me vete njerëzit e ndershëm dhe punëtorë. Kemi pasur të vërtetën.
Kemi folur pa frikë. Kemi denoncuar padrejtësitë. Kemi qenë zëri i atyre që janë ndjerë të papërfaqësuar dhe shqiptarët na kanë dëgjuar. Më 11 maj, ata na dhanë një mesazh të qartë: Vazhdoni! Por ky është vetëm fillimi. Tani kemi më shumë përgjegjësi. Dy mandatet tona janë nisja e një rrugëtimi edhe më sfidues.
Në këtë njëvjetor, dua të falënderoj nga zemra çdo anëtar, çdo mbështetës dhe çdo votues brenda dhe jashtë Shqipërisë që ka besuar tek ne.
Tani është koha të rritemi. Të hedhim rrënjë. Të përgatitemi për zgjedhjet që vijnë. Por më shumë se kaq, të mos harrojmë pse e nisëm këtë rrugëtim.
Një vit më parë filluam një mision. Sot jemi më të fortë. Nesër do të jemi më shumë. Sepse unë besoj fort se shqiptarët janë gati dhe Partia “Mundësia” është këtu për ta kthyer Shqipërinë në vendin e mundësive për të gjithë.
Faleminderit nga zemra!
Tashmë janë pushimet verore, edhe pse për “Mundësinë” puna do të vijojë çdo ditë, por pas një pune 1 vjeçare të lodhshme, është koha për të rimarrë energjitë, që nga Shtatori e në vijim të bëjnë atë që ka deklaruar Agron Shehaj: Një opozitë që nuk është parë kurrë në këto 34 vite!