Rritet rreziku nga zjarret në Shqipëri, 16 vatra në 24 orë, 4 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka raportuar për një situatë shqetësuese me zjarret në vend. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten ende aktive në disa bashki të Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar, vatrat aktive ndodhen në:

  • Elbasan – Zjarr në vendgrumbullimin e mbetjeve. Vijon puna për shuarjen përfundimtare. U ndërmorën masa me hedhje inertesh dhe matje të ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të jenë sërish në terren sot.
  • Finiq – Zjarr mes fshatrave Grazhdan dhe Malçan. Situata nën kontroll, me intensitet të ulët. Në terren ndodhen zjarrfikës dhe Shërbimi Pyjor.
  • Tiranë – Në fshatin Bulticë, një vatër aktive në një terren të vështirë që pamundëson ndërhyrjen me mjete. Ndërhyrja do të vijojë me forcat operacionale dhe helikopterin Cougar.
  • Has – Zjarr në një zonë malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj. Era dhe terreni i thyer vështirësojnë ndërhyrjen, por operacionet për kontrollin e flakëve vazhdojnë.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, por në dy raste ka pasur dëme materiale:

  • Fier – Në fshatin Seman i Ri, një banesë u përfshi nga flakët. Pronari u dërgua në spital me probleme shëndetësore, ndërsa banesa pësoi dëme të konsiderueshme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake.
  • Vorë – Në Fushë Prezë, një hangar me bar u dogj, duke shkaktuar humbjen e 1600 dëngjeve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve.

Instituti i Gjeoshkencave parashikon reshje lokale të dobëta në disa qarqe, por për pjesën më të madhe të territorit rreziku mbetet i lartë për zjarre. Vetëm Durrësi, Korça dhe Vlora janë me rrezik më të moderuar, por me zona specifike ku rreziku është i lartë.