Rikthehen përmbytjet, ministria e Mbrojtjes bën bilancin: Probleme me qarkullimin në Durrës, ndërpritet energjia elektrike në disa qytete

Reshje të mëdha shiu kanë përfshirë vendin prej mëngjesit të sotëm, ndërsa problemet janë hasur në disa qytete të vendit.

Ministria e Mbrojtjes në një njoftim zyrtar bëri me dije zonat ku po hasen vështirësi dhe ka përmbytje apo problematika të tjera. Kështu në Mirditë ka dalë nga shtrati përroi i Zmejës duke përmbytur oborret e banesave. Gjithashtu përmbytje ka në Durrës ku është vështirësuar edhe qarkullimi i automjeteve.

Disa zona kanë mbetur pa energji elektrike në Kukës, Tropojë dhe Shkodër.

NJOFTIMI I MINISTRISË:

Rikthimi i reshjeve intensive në një pjesë të madhe të territorit të vendit ka krijuar disa problematika.
Po punohet nga forcat në aksin rrugor Skuraj –Burrel, ku ka rënie masive gurësh dhe bllokim të rrugës, në fshatin Shkopet si dhe në njësinë administrative Milot, në Kurbin. Ka prani uji në oborret e disa banesave në Mirditë, për shkak të daljes së përroi të Zmejës nga shtrati.
Situata po monitorohet në Durrës, ku ka prani të ujit në disa rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, kryesisht në zonën rreth stadiumit, Plazhit, Plepa, te “Ura e Dajlanit”.
Po ashtu po punohet për riparimin e defekteve në sistemin energjetik në disa zona në Kukës, Tropojë, Shkodër.
Të gjitha forcat janë në terren për të shmangur çdo problematikë që shfaqet.