Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ende pa u shpallur zyrtarisht rezultati zgjedhor në Shqipëri, ka zgjedhur të urojë publikisht Edi Ramën.
Ajo shprehet se do të vijojë të punojë për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Dua t’i shpreh urimet e mia më të sinqerta kryeministrit Edi Rama për rikonfirmimin e tij në krye të qeverisë shqiptare. Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik që lidh dy kombet tona është forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, rezultat i dialogut konstruktiv dhe një dëshire të përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave globale me zgjidhje inovative”, thekson Meloni.
Kryemintrja italiane shton më tej se e mbështet avancimin e vendit tonë drejt rrugës për t’u bërë pjesë e familjes së Bashkimit Europian.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar më tej lidhjen midis dy qeverive tona dhe për të arritur objektivat e përbashkëta, duke përfshirë forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe avancimin e rrugës evropiane të Shqipërisë”, thuhet në urimin e Melonit.
Por pa kaluar shumë kohë nga mesazhi i Melonit, Edi Rama ka falënderuar me një shënim në rrjetet sociale homologen italiane të cilën e cilëson si “motër”.
“Faleminderit motër. Është nder të shërbesh për një marrëdhënie të jashtëzakonshme afërsie dhe miqësie si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë, dhe është privilegj të bashkëpunosh me një lider si ti, që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Nuk e di nëse e shkrova saktë ‘a leader’ apo jo, por e di me siguri që më e mira për vendet tona është ende për të ardhur”, shkruan Rama.