Senaca plenare për miratimin e rezolutës për Kosovën nuk ka kaluar pa akuza si nga opozita, ashtu edhe nga kryeministri Edi Rama.
Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku akuzoi mazhorancën se rezolutën për Kosovën e kanë bërë me vetëm 3 fjali, ku nuk dënohet sulmi serb, por thjesht dakordësohet Kuvendi i Shqipërisë me rezolutën nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës.
“Do ndalesha dhe te rezoluta e përbashkët për Kosovën, kam qenë gjithnjë në favor. Por zonja kryetare e kuvendit referuar asaj që vendosi konferenca e kryetarëve do duhej që për këtë të ishte mbledhur Komisioni i Politikës së Jashtme, unë ndihem i fyer, sepse s’është mbledhur asnjë orë.
Dhe unë sot, shoh që keni mbërritur me një tekst, me një rezolutë me vetëm 3 fjali për Kosovën, sigurisht fjalia kryesore është se mbështetni rezolutën e Kosovës, po dhe këtë pa e cituar. A jeni në vete? Po ky është detyrim kushtetues. Kjo është arritja e madhe? Kaq është zëri i Shqipërisë. Ju e dini që Kosova është në situatë të brishtë ndërkombëtare, ka gjëra që i thotë dhe nuk i thotë. Parlamenti i Shqipërisë duhet të buçasë për Kosovën, si mund të fshihet pas rezolutës së Kosovës.
Akt kriminal i një njësie terroristësh serbe, thoni në preambulë. Kaq? Po këtë e thotë edhe Vuçiç. Po aq sa opozita serbe s’kemi ne kurajë të themi që Vuçiç është përgjegjës. Ky tekst më fyen”, tha Çollaku.
Akuzave të tij i është përgjigjur kryeministri Rama, i cili ka akuzuar opozitën se çështje të tilla i përdor për interesin e saj. Sipas tij, rezoluta e opozitës nuk është asgjë tjetër veçse shkulm dëshpërimi që vjen nga një planet tjetër, planetit “non grata”, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kryeministri vijoi më pas të komentonte veprimet e Shqipërisë, duke nisur nga moslinjëzimi me deklaratën e Bashkimit Europian, deri te hetimi ndërkombëtar që ka kërkuar për ngjarjen e Banjskës.
Gjithashtu ai ka akuzuar edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për të cilin tha se po sulmon qeverinë shqiptare për politikën e ti elektorale.
“Nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral sic janë prej kohësh tanimë, dhe e them me keqardhje, janë një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit përfshirë dhe qeverisë sonë përmes zërave të dytë dhe të tretë, por mbajtëm një qëndrim parimor e politik në funksion të nxitjes së Bruksel për të siguruar një përçapje serioze për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve anëtare jo vetëm me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes por dhe me masa kuptimplota në adresë të Serbisë dhe lidhur me çfarë vjen çfarë mund të vijë dhe nesër”.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Sot jemi ftuar në një mocion me debat nisur nga një rezolutë e depozituar në Kuvend që doli nga i njëjti oxhak i tymit patriotik, fill pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës mbi ngjarjen tragjike të vrasjes së efektivit Afrim Bunjaku nga një grup kriminal serb. Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtë, por edhe në detyrë të tij të miratojë të tilla rezoluta, që i drejtohen për mbështetje ndërkombëtarëve dhe organizmave ndërkombëtare ku Kosova nuk bën pjesë. Po Kuvendi i Shqipërisë, vend anëtar i NATO, vend kandidat për në BE, vend që ka ulësen dhe të gjitha rrugët e komunikimit me botën demokratike, ambasadorët e vet, kujt ia drejton një rezolutë si ajo që na u propozua? Cilat parlamente të vendeve anëtare të NATO-së miratojnë rezoluta të tilla drejtuar botës. Cilië është qëllimi i një nisme të tillë? Përtej propagandës kinse patriotike, rezoluta të tilla të Kuvendit tonë shfaqen me shpejtësi të rrufeshme si dru për oxhakun e propagandës kundër qeverisë.
Cilin planet duhet të kërkojmë për ta përshtatur këtë kategori mocionesh për debat dhe me sherrnajë si ajo e barrikadave trupore të seancës së shkuar, me akuza për tradhti. Botës demokratike jo njëherë. Bota nga vijnë këto shkulme dëshpërimi politik ekstrem i përket një planeti tjetër, që ka marrë së fundmi emrin e vet të vërtetë, planeti non grata.
Agresioni serb i nxori sërish thonjtë e krizës veriut të Kosovës dhe ia nguli më fortë se asnjëherë në fyt procesit të normalizimit. Armatimet dhe thasët e financimeve kriminale, ishin si kronika e zezë e një vdekje të paralajmëruar. Lajmi i vrasjes së efektivit të Kosovës ishte si një bombë që shpërtheu si një sinjal për përshkallëzimin e konfliktit në atë skenë.
Falë veprimeve të forcave të sigurisë që nuk ranë në kurthin e organizatorëve, u përgjigjën në mënyrën më të mirë ndaj grupit kriminal serb. Shpallja e zisë kombëtare nga Beogradi për kriminelët e eleminuar ishte shembëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës, që bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata finale e vitit 1999 në Kosovë.
Si reagoi Shqipëria përmes qeverisë ndaj asaj ngjarje kriminale? Për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e BE. Ajo sihte për Kosovësn dhe detyrat e saj për dialogun dhe s’kishte asnjë gërmë për Serbinë, edhe pse e vërteta është se aprovimi i saj përkoi procedurialisht menjëherë pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së efektivit të Kosovës dhe shpalljes së zisë në Beograd dhe kjo nuk kishte si të pasqyrohej në deklaratën e përpiluar përpara ngjarës. Ne nuk kishim asnjë rezervë për deklaratën, sepse Kosova duhet të reflektojë për kritikat e Brukselit dhe Uashingtonit, ishte e papranueshme që deklarata të dilte sikur asgjë s’kishte ndodhur.
Kishte ndodhur ngjarja më e rëndë pas vitit 1999. Ngjarja kriminale ishte pasuar nga një akt i papranuseshëm zyrtar, shpallje zie në Beograd, ndaj ne ua bëmë të qartë miqve në Bruksel se për t’u linjëzuar me atë deklaratë, prisnim një deklaratë të dytë të BE, ku të dënoheshin organizatorët e agresionit, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të fillohej hetimi ndërkombëtar.