Në rubrikën “SY m’SY” në rrjetet sociale, kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e nisi komunikimin me rezolutën e miratuar të mërkurën në samitin e Partive Popullore Evropiane të mbajtur Valencia të Spanjës, me propozim të Partisë Demokratike
Kryeministri u shpreh se “Kënata” kaloi nëpër tavolina një fletërrufe dhe aty filloi avazin dhe alibinë e humbjes më 11 maj. Këto veprime Rama i cilësoi si boritë e para të humbjes për Partinë Demokratike.
“Dje ra boria e parë e humbjes. Në një mbledhje diku në Spanjë, ku ishin mbledhur partitë simotra të kënetës dhe këneta kaloi nëpër tavolina një fletërrufe dhe aty filloi avazi. Filloi avazi, blerje vote me lekë dhe me kanabis, punësime elektorale, prokurime favorizuese, abuzime me detyrën me median. Domethënë, një mal me broçkulla sa herë ka pasur zgjedhje dhe sa herë ka pasur humbje”, tha ai.
Më tej, Rama duke iu përgjigjur PD për shqetësimet që parashtroi në samitin e Partive Popullore Evropiane, u shpreh se në Shqipëri është një institution si puna e SPAK, që është në zyrë e terren për të luftuar rastet e pretenduara për krime zgjedhore.
Sipas tij, SPAK ka treguar se është institucuion i pavarur dhe mbi palët politike.
“E reja e këtyre zgjedhjeve, kemi një strukturë SPAK që është në terren dhe është edhe në zyrë, i fokusuar në marrjen e të gjitha denoncimeve, që ma ha mendja mua janë lum duke lexuar këtë fletërrufe. Jam shumë i qartë sesi zhvillohet e gjitha, por tashmë kemi një institucion që është mbi palët dhe le t’i shohë se ku janë votat në këmbim të kanabisit”, tha Rama.