Revista “Time” zgjedh Donald Trump njeriun e vitit

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump është shpallur sërish “Njeriu i vitit” nga revista Time, duke marrë këtë titull të lakmuar për herë të dytë brenda më pak se një dekade.

Presidenti i sapozgjedhur, i cili fitoi titullin për herë të parë në vitin 2016, tejkaloi një listë të ngushtë që përfshinte zëvendëspresidenten Kamala Harris; Katerinën, princeshën e Uellsit; kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu; presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum; miliarderin Elon Musk dhe sensacionin e podcast-it, Joe Rogan. 

Në një prononcim të shkurtër për “Time”, Trump tha se që në minutat e tij të para sapo të marrë detyrën si President, do të falë personat e akuzuar për sulmin në Kapitol 4 vite më parë.

Donald Trump dha gjithashtu mendimin e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Lindja e Mesme është një problem më i lehtë për t’u trajtuar se sa ajo që po ndodh me Rusinë dhe Ukrainën. Numri i ushtarëve të vdekur është tronditës. Është çmenduri ajo që po ndodh. Unë nuk jam shumë dakord për dërgimin e raketave me rreze të gjatë që godasin Rusinë. Pse po e bëjmë këtë? Thjesht po përshkallëzojmë këtë luftë dhe po e përkeqësojmë. Unë dua të arrij një marrëveshje, dhe e vetmja mënyrë për të arritur një marrëveshje është duke mos e braktisur”, tha Donald Trump duke shprehur vijimësinë e mbështetjes për Ukrainën.