Rëndohet pozita për Ajola Xoxën. Mediat raportojnë se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar një tjetër akuzë bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës.
Bëhet fjalë për akuzën e fshehjes së të ardhurave.
Këtë të hënë, Xoxa qëndroi në SPAK për rreth 2 orë. Të premten që shkoi, Xoxa ishte në ambientet e prokurorisë në kuadër të respektimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Po ashtu Prokuroria e Posaçme e akuzon dhe po kryen hetime në ngarkim të Ajola Xoxës edhe për këto vepra penale:
-Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë)
-Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
-Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e Veliajt, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e tij dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga Ajola Xoxa.
SPAK thotë se bashkeshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhu dhe veshje.
Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbahet në masën e sigurisë “arrest me burg” prej datës 10 shkurt të këtij viti.