Regjistrohet vrasja e 6-të në vend brenda 24 orëve. Pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në Velipojë, Mirditë dhe Tiranë ku u regjistruan 5 të vdekur, në fshatin Zhapokikë të Memaliaj është vrarë një 72 vjeçar. Ky i fundit i identifikuar si Faik Ajdini, u gjet mëngjesin e sotëm i pajetë në afërsi të një përroi në fshatin e tij.
Nga konstatimet paraprake në trupin e të ndjerit, janë vënë re dy goditje në qafë dhe në kokë ku plaga në qafe ka shkaktuar hemorragji çka ka shkaktuar vdekjen.
Sipas hetimeve, 72 vjeçari është vrarë me mjete prerëse, sëpatë dhe thikë dhe më pas është hedhur në përrua.
Faik Ajdini u raportua si i zhdukur nga familjarët e tij pasi kishin humbur kontaktin me të prej ditësh. Deri më tani, nuk ka asnjë të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë ndërsa policia ka nisur hetimet.
Po ashtu Policia e Gjirokastrës ka ngritur 2 postblloqe në aksin nacional Memaliaj-Krahës dhe në akset lokale Memaliaj-Sektori i Tretë dhe Krahës-Rabijë.