Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë nuk është pritur mirë nga shumë shtete europiane, ndaj edhe kryeministri Rama nuk i ka kursyer kritikat në median italiane “Rette 4”.
Kryeministri u shpreh se këto vende e thonë hapur që nuk duan emigrantë me ngjyrë dhe myslimanë, por nga ana tjetër japin miliona për Ukrainën, pasi ata janë të krishterë dhe të bardhë.
Rama foli edhe për integrimin në BE, të cilin e cilësoi si një ëndërr të shqiptarëve që kur shpëtuan nga komunizmi, teksa theksoi se marrëveshja me Italinë ishte bërë pa asnjë lloj interesi, për shkak se vendi fqinj na është gjendur në krah sa herë që Shqipëria ka patur nevojë.
Rama: Unë i respektoj të gjithë dhe s’dua të ndërhyj, pasi opinionet e ndryshme duhen. Janë shtete të Europës që publikisht thonë se s’duan emigrantë me ngjyrë dhe myslimanë. Këto shtete kanë dhënë miliona për Ukrainën, sepse ata janë të bardhë dhe të krishterë. Në fund, kushdo që vjen në Europë me anije, i dëshpëruar, meriton të respektohet, pa bërë dallime ngjyre feje.
Integrimi në Bashkimin Europian?
Rama: Ne jemi në mes të Europës, jemi të ndarë nga një det i bukur me Italinë, por s’jemi në Bashkimin Europian. Duam të bëjmë pjesë në BE, është ëndrra jonë që nga momenti që shpëtuam nga ferri i diktaturës, është ëndrra jonë. Fakti që kjo marrëveshje u bë pa kërkuar asnjë cent për këtë, asnjë nder apo përfitim, por ka patur nderin të jetë prezentë kur Italia ka kërkuar t’i japim një dorë. Çfarë na kërkoi Italia kur ishim ne ata që në atë kohë ishim në vendin e afrikanëve? Asgjë nuk na ka kërkuar!
Çfarë kërkoi Italia nga ne kur erdhi në Shqipëri me ushtri, kur Shqipëria doli nga komunizmi? Ju kujtoj piramidat financiare që sollën luftën civile. Kush na shpëtoi? Italia, ishte aty dhe nuk na kërkoi asgjë. Kush erdhi kur ra tërmeti në Shqipëri? Forcat italiane rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar tonën.
Thonë që Rama hapi portën për afrikanët e Melonit për të hyrë në Bashkimin Europian. Këta nuk dinë asgjë. Të hysh në BE është një mënyrë komplet tjetër nga kjo. Hyhet duke bërë reforma dhe punët e shtëpisë, dhe më pas Komisioni Europian kontrollon çdo gjë. Në një botë ku vlen vetëm interesi dhe paratë, mendojnë se s’mund të bëhet një marrëveshje pa para, por vetëm për miqësi.
Faleminderit dhe qeshni pak më shumë sepse jetoni në vendin më të bukur të botës, pas Shqipërisë!