Reagon Berisha pas përjashtimit të grupit të tifozëve nga Prishtina: Një akt anti-kombëtar…, turp Edi Ramës!

Grupi i tifozëve nga Prishtina, “Plisat”, nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Ishujt Faroe, në stadiumin “AirAlbania” këtë mbrëmje.

Federata Shqiptare e Futbollit nuk i ka akorduar biletat për grupin për ndeshjen e sotme.

Pas këtij lajmi, ka ardhur edhe reagimi nga kreu demokrat Sali Berisha, i cili e quajti përjashtimin e “Plisave” një akt anti-kombëtar dhe hakmarrës.

“Turp Edi Ramës dhe atyre që pengojnë “Plisat” epik të jenë sonte në stadium!” – shkruan ndër të tjera ish-Kryeministri.

Postimi i plotë:

Përjashtimi i “Plisave” nga ndeshja me urdhër të Edi Ramës, një akt primitiv, anti-sport dhe anti-kombëtar.

Të dashur miq, në një akt hakmarrës primitiv Edi Rama urdhëron FSHF dhe Taulant Bego Jaris që “Plisat” e famshëm të mos lejohen në Stadium për të ndjekur ndeshjen e sotme të kombëtares me ishujt Faroe. Ky dënim kolektiv për shkak të parullës që shpalosën në Stadium në ndeshjen me Çekinë kundër Pashiqit shqiptar përbën një akt të turpshëm racist antikombëtar, një vetposhtërim të atyre që zbatojnë urdhërin e Edi Ramës.

Nderim “Plisave”! Turp Edi Ramës dhe atyre që pengojnë “Plisat” epik të jenë sonte në stadium!