Sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk është në krizë vetëm për shkak të mungesës së mjekëve, infrastrukturës apo medikamenteve.
Një raport i thelluar mbi prokurimet publike në sektorin e shëndetësisë për vitin 2024, i përgatitur nga shoqata “Together for Life”, me mbështetjen e International Budget Partnership dhe financuar nga Bashkimi Evropian, tregon një problem edhe më të madh: mënyrën se si menaxhohen fondet publike, si shpërndahen kontratat dhe si pengohet konkurrenca në një sektor që duhet të jetë jetik për shëndetin e qytetarëve.
Në një analizë të gjatë, raporti evidenton një sistem të bllokuar nga paaftësia administrative, mungesa e garës, dyshimet për favorizime dhe një buxhet që nuk përputhet me nevojat reale të popullatës.
Buxheti në rënie: Shëndetësia, prioritet vetëm në letër
Pavarësisht rritjeve të nominale të buxhetit në disa programe, përqindja e shpenzimeve për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe me shpenzimet publike ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2024, vetëm 2.8% e PBB-së dhe 9.6% e shpenzimeve publike janë dedikuar shëndetësisë. Kjo është shifra më e ulët që prej vitit 2017
Në mënyrë shqetësuese, Shqipëria është vendi i fundit në rajon për financimin e shëndetësisë, pasi vendet fqinje si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, shpenzojnë më shumë se Shqipëria në raport me buxhetin e tyre vjetor.
“Shpenzimet publike për sektorin e shëndetësisë Shpenzimet vetëm për sektorin e shëndetësisë gjatë vitit 2024 – duke përfshirë ato të deklaruara në Raportin e Monitorimit të Buxhetit të MSHMS si dhe të ardhurat nga Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) rezultojnë në masën 69.7 mld lekë. Këto shpenzime zënë 2.8% ndaj PBB dhe 9.6% ndaj Shpenzimeve të Përgjithshme Publike. Mesatarisht shpenzimet për shëndetësinë në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vite luhaten në intervalin 2.8%-3.4%, me një mesatare prej 3.1% të PBB. Ndërkohë shpenzimet e shëndetësisë ndaj shpenzimeve të përgjithshme publike përgjatë periudhës 2017-2022 rezultojnë në masën 10%. Në këtë mesatare është përjashtuar viti 2021, i cili rezulton me shpenzime të larta (one off) për shkak të menaxhimit të situatës pandemike të shkaktuar në vend nga virusi SARS COV 2”, thuhet në raport.
Një tjetër problem është edhe nënfinacnimi i Shëndetësisë në aspektin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, pasi më shumë se 50% e shpenzimeve për shëndetësinë paguhen vetë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.


Konkurrenca: Më pak se dy operatorë për tender
Një nga treguesit më dramatikë të këtij raporti është mungesa thuajse totale e konkurrencës në tenderët publikë. Mesatarja është vetëm 1.37 operatorë ekonomikë për procedurë, çfarë tregon se shumica e kontratave janë ndarë pa garë reale. Në një sistem të shëndetshëm, tenderët do të tërhiqnin interes nga kompani të ndryshme për të garantuar efikasitet dhe kursim fondesh, por kjo nuk ndodh në Shqipëri.
Madje, sipas raportit, 80% e procedurave të anuluara u shkaktuan nga gabime të stafit të Ministrisë së Shëndetësisë, duke nxjerrë në pah paaftësi ose neglizhencë në hartimin e dokumentacionit të tenderit.

Kontratat përqendrohen në pak duar: Kush i fiton tenderët?
Një tjetër sinjal alarmi është përqendrimi ekstrem i kontratave publike në pak operatorë. Nga analizat rezulton se një grup i vogël kompanish fitojnë vazhdimisht tenderët më të mëdhenj në sektorin farmaceutik dhe të pajisjeve mjekësore.
Vetëm kompania INCOMED ka fituar 37 procedura, ndërsa MEGAPHARMA ka fituar 28, duke e bërë praktikisht të pamundur për operatorët e vegjël apo të rinj të konkurrojnë. Ky centralizim i fituesve ngre dyshime serioze për favorizim dhe mungesë reale të barazisë në treg.

“Ky klasifikim tregon se 72% e tenderave janë fituar nga 10 kompani, kryesisht në sektorin farmaceutik dhe të furnizimit me pajisje mjekësore. Ky përqendrim i tregut mund të ketë ndikime të ndryshme në konkurrencën dhe efektivitetin e procesit të prokurimit publik në sektorin e shëndetësisë”, thotë raporti.
Ofertat pranë fondit limit: Gara që nuk ekziston
Në një treg të lirë, tenderët fitohen nga ofertat më të mira dhe më të lira. Por raporti tregon se në vitin 2024, ofertat fituese kanë qenë mesatarisht vetëm 2% më të ulëta se fondi limit, një rënie drastike nga 8.57% në vitin 2014. Kjo tregon se kompanitë nuk kanë nevojë të ulin çmimin për të fituar, sepse nuk ka garë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, kjo çon në shpenzim të panevojshëm të fondeve publike, por në rastin më të keq, nënkupton se mund të ketë një përzgjedhje të parapërgatitur të fituesve.
“Bazuar në krahasimin e të dhënave të vitit 2014 me vitin 2024, vërehen disa ndryshime domethënëse në përkeqësimin e procedurave të prokurimit publik në sektorin e shëndetësisë: Ulja mesatare e çmimit: Për shkak të konkurrencës në vitin 2014 rezulton se ulja mesatare e çmimit të produkteve të tenderuara kaqenë 8.57%. Për vitin 2024 ulja e çmimit rezulton të jetë nën 2%, duke treguar një ulje të ndjeshme të garës mes operatorëve dhe një tendencë të çmimeve fituese shumë pranë fondit limit”, thuhet në raport.
Koncesionet: Burim kostoje dhe hetimesh penale
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve të shëndetësisë shkon për kontrata koncesionare, të cilat jo vetëm që kanë qenë joefikase, por janë bërë objekt hetimi nga SPAK.
• Sterilizimi – Koncesion me vlerë 1.75 miliardë lekë, tashmë nën gjykim pas hetimeve të SPAK që çuan në akuza ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj.
• Check-Up – Koncesion 13 miliardë lekësh i cili, megjithëse parashikohej të përfundonte në 2026, është planifikuar të zgjatet deri më 2027 pa shpjegime.
• Hemodializa – Tender që paguhet për shërbim të planifikuar, jo të kryer, duke gjeneruar kosto fiktive dhe abuzime me fondet publike.
Sipas raportit, pavarësisht se ka patur më pak pacientë që kanë marrë shërbim nga këto koncesione, por ulja a e numrit të pacientëve nuk u shoqërua, sic pritej, me ulje te shpenzimeve për këtë produkt, përkundrazi kostoja për njësi është rritur në mënyrë të konsiderueshme, dhe kjo rritje nuk është shoqëruar me asnjë analizë apo argument të qartë politikash për të sqaruar apo justifikuar këtë kërcim të kostove.
“Trajtimi në spitalet psikiatrike ka rezultuar gjithashtu me devijanca: 1,096 pacientë u trajtuan përkundër 924 të planifikuar, ndërsa kostoja për njësi ra ndjeshëm, çka ngre dyshime për cilësinë e shërbimit të ofuar. Në raportin ‘Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat’ , realizuar nga TFL në vitin 2024, është evidentuar situata e rëndë e pacientëve që vuajnë nga sëmundje mendore për shkak të mungesës së shërbimeve dhe cilësisë së ulët, duke rekomanduar rritjen e buxhetit në nivelin e parashikuar në Strategji”, thuhet në raport, që tregon për problematikat me të cilat ndeshen pacientët në spitalet psikiatrike.
Pacientët me Sindromën Down
Raporti zbulon edhe raste flagrante të përjashtimit të kategorive vulnerabël nga shërbimi. Për të dytin vit radhazi, fondi i planifikuar për trajtimin e pacientëve me Sindromën Down është anuluar pa asnjë shpjegim zyrtar.
“Produktit “Pacientë me sindromën Down” iu caktua një buxhet në fillim të vitit 2024, por ky fond u anulua gjatë vitit pa ofruar asnjë shpjegim. E njëjta situatë është vërejtur edhe në vitin 2023, kur Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale planifikoi fillimisht një buxhet për këtë kategori pacientësh, por e hoqi plotësisht gjatë rishikimit të buxhetit në mes të vitit. Si rezultat, pacientët me sindromën Down mbeten pa mbështetje financiare të dedikuar në fushën e shëndetësisë”, shkruan raporti.
Konkluzioni: Një sistem që ka nevojë për kurë urgjente
Ky raport nuk është thjesht një analizë financiare, por diagnostikimi i një sëmundjeje të thellë, e cila ka kapur jo vetëm mekanizmat e tenderimit publik, por vetë themelin mbi të cilin duhet të mbështetet shëndetësia: transparencën, barazinë dhe profesionalizmin.
Rekomandimet e raportit janë të qarta: rritje e transparencës, forcim i konkurrencës, ndalim i keqpërdorimeve me koncesionet dhe profesionalizim i stafit të Ministrisë së Shëndetësisë. Pa këto masa, sistemi i shëndetësisë do të vazhdojë të jetë i sëmurë, jo vetëm në trup, por edhe në moral.
REKOMANDIME
Analiza e prokurimeve publike të zhvilluara Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2024 ka evidentuar një sërë problematikash që kërkojnë ndërhyrje dhe përmirësime të domosdoshme si në kuadrin ligjor, ashtu edhe në atë administrativ. Për të rritur transparencën dhe efektivitetin e prokurimeve publike, nevojiten masa të qarta për përmirësimin e aksesit në të dhëna, rritjen e konkurrencës, forcimin e monitorimit dhe ndryshimet e nevojshme në legjislacion.
RRITJA E SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR SHËNDETËSINË
Rritja e shpenzimeve publike për sektorin e shëndetësisë në nivelin e parashikuar në dokumentet politikë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Bazuar në parashikimet që MSHMS ka bërë në Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, buxheti për shëndetësinë duhet të planifikohet në masën 4% të PBB-së dhe 12% e shpenzimeve totale të qeverisë.
PËRMIRËSIMI I TRANSPARENCËS DHE PUBLIKIMIT TË TË DHËNAVE
Është e nevojshme që dokumentet të jenë të aksesueshme publikisht dhe që të krijohet një sistem elektronik i hapur dhe i përditësuar në kohë reale. Mos-përmbushja e detyrimit ligjor për publikimin e të dhënave mbi fituesit dhe kontratat e lidhura të shoqërohet me penalitete për personat përgjegjës. APP duhet të forcojë monitorimin, për të garantuar qasje dhe transparencë të plotë.
RRITJA E KONKURRENCËS NË TENDERA
Rritja e konkurrencës në tendera kërkon rishikimin e kritereve të kualifikimit, duke eliminuar ato që pengojnë pjesëmarrjen e operatorëve të rinj. Për të nxitur një treg më të hapur dhe garë reale, është e nevojshme të lehtësohen procedurat dhe të krijohen stimuj për pjesëmarrjen e gjerë, përfshirë operatorët e huaj.
FORCIMI I MEKANIZMAVE TË MONITORIMIT DHE AUDITIMIT
Forcimi i monitorimit dhe auditimit është thelbësor për të parandaluar mungesën e konkurrencës dhe shkeljet në procedurat e prokurimit. Kjo kërkon vendosjen e kontrolleve mbi tenderët me një ofertues të vetëm, auditime të pavarura për rastet problematike dhe krijimin e një mekanizmi ankimimi pa kosto për operatorët ekonomikë.
RISHIKIMI I KUADRIT LIGJOR
Këshillohet rishikimi i kuadrit ligjor që rregullon marrëveshjet kuadër, duke vendosur kufizime të qarta për përdorimin e tyre vetëm në raste të mirë justifikuara, me qëllim garantimin e transparencës dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në procedurat e prokurimit.
Raporti i plotë i “Together for Life” për: PROKURIMET PUBLIKE NË SEKTORIN E SHËNDETËSISË PËR VITIN 2024