Zjarret e mëdha që kanë përfshirë zonat përrth Athinës kanë reduktuar ndjeshëm zonat pyjore.
Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile ka bërë një raport të dëmeve që zjarri i fundit ka shkaktuar në ndërtesat dhe bizneset në verilindje të Atikës.
Vlerësimi i hollësishëm i zonave të djegura gjatë datave 11-12 gusht ka treguar se u shkrumbuan gjithsej 10,500 hektarë tokë, duke përfshirë një kombinim mes pyjeve dhe zonave urbane. Zjarri katastrofik që preku rajonin më të populluar të vendit ka shkaktuar shqetësime për të ardhmen e Atikës, pasi, brenda tetë viteve, rajoni ka humbur 37% të pyjeve të tij nga zjarret, që korrespondon me më shumë se 70,000 hektarë.
Sipas një harte të publikuar nga Observatori Kombëtar i Athinës, 60% e zonave të prekura nga zjarri në periudhën e këtyre dy ditëve në periferinë verilindore të Atikës ishin prekur më parë nga zjarri në vitin 2009. Ky fakt thekson barrën që ndjen ekosistemi dhe parashikon sfida të mëdha për rigjenerimin natyror të peizazhit në të ardhmen.
Ndërkohë, ka vazhduar kritika për shkak se qeveria greke ka shpenzuar vetëm 1% të buxhetit të parashikuar nga Fondi i Rimëkëmbjes për parandalimin e zjarreve. Sistemi evropian i informacionit për zjarret në pyje ka publikuar një video që tregon periudhën e fatkeqësisë nga fillimi i zjarrit të madh më 11 gusht deri më 13 gusht.
Po ashtu, partitë opozitare vazhdojnë të kritikojnë mënyrën e përballjes me zjarret në verilindje të Atikës dhe mungesën e masave paraprake për të parandaluar zjarret, në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe thatësira e vazhdueshme po krijojnë kushte të rrezikshme.