Raporti i fundit i publikuar nga Këshilli i ambasadorëve Amerikanë pas vizitës në vendin tonë, tregon qartë problemet me të cilat përballet Shqipëria dhe qytetarët e saj.
Ambasadori Philip Hughes, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se në Shqipëri mbeten probleme të mëdha korrupsioni, kriminaliteti dhe qeverisja jo demokratike. Sipas tij, avantazhet e qeverisë Rama të krijuara edhe për shkak të opozitës së dobët, bëjnë që të ketë mungesë të një gare të vërtetë demokratike.
Hughes u shpreh se mungesa e garës së vërtetë demokratike do të shndërrohet në pengesë për Shqipërinë nga ata që hezitojnë ta pranojnë vendin në Bashkimin Evropian.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Këshilli i Ambasadorëve amerikanë, ishte për një vizitë fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Cilat janë gjetjet tuaja?
Philip Hughes: Na ka bërë përshtypje të thellë përparimi që Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bërë që nga shpallja e pavarësisë së tyre dhe përparimin që ka bërë Shqipëria, që nga përmbysja e regjimit brutal të Enver Hoxhës dhe rilindja si shtet demokratik. Njëkohësisht, na bëri përshtypje ndikimi i madh i fqinjëve në politikat e këtyre tre shteteve – rolin e madh që Serbia luan në skenën politike të Kosovës, rolin e madh që Bullgaria luan në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria e cila, siç e kuptuam, ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve të saj. U befasuam me aspiratën e këtyre shteteve për t’u bërë pjesëmarrës të plotë të komunitetit Euro-Atlantik dhe përparimit që kanë bërë për të realizuar këto qëllime. Njëkohësisht, në secilin rast, ato kanë pengesa për integrim në BE dhe në rastin e Kosovës edhe në NATO. Në rastin e Shqipërisë, çështjet e korrupsionit dhe kriminalitetit në njërën anë dhe problemet me një qeverisje të mirëfilltë demokratike nga anën tjetër, janë pengesa të shkaktuara nga vetë klasa politike e , Shqipërisë, që ky vend duhet t’i tejkalojë.
Zëri i Amerikës: Duke patur parasysh këto sfida, si duhet të angazhohen hartuesit e politikave amerikane me rajonin?
Philip Hughes: Duhet të provojmë të vazhdojmë dialogun e ngushtë me të gjitha palët në rajon dhe natyrisht ta vazhdojmë praninë e forcave amerikane atje. Ne vizituam Kampin Bondsteel dhe jemi thellësisht të impresionuar me profesionalizmin e ushtrisë tonë dhe kontributin që ajo jep në rajon… Nxisim qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet për të tejkaluar dy sfidat që i përmenda. Është vështirë për një qeveri që ka avantazhet siç i ka qeveria e Kryeministrit Rama, avantazhet e krijuara për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve të mëparshme nga Partia Demokratike, që ka një pozitë të tillë komanduese në aspektin elektoral, të nxisë garë të vërtetë demokratike dhe t’i japë hapësirë palës tjetër. Mungesa e garës së vërtetë demokratike do të shndërrohet në pengesë për Shqipërinë nga ata që hezitojnë ta pranojnë vendin në Bashkimin Evropian për arsye të ndryshme dhe nuk u duhen dhënë arsye të tjera.