Amnesty International ka publikuar raportin vjetor për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2024, duke ngritur një sërë shqetësimesh serioze që përfshijnë shëndetësinë publike, dhunën me bazë gjinore, liritë e medias, trajtimin e refugjatëve dhe diskriminimin ndaj komuniteteve vulnerabël.
Një nga skandalet më të rënda të evidentuara është rasti i pacientëve me kancer në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, të cilët u orientuan nga mjekët drejt klinikave private me pagesë, duke iu mohuar trajtimi falas. Mjekët janë pezulluar, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Sipas Indeksit të Lirisë së Shtypit 2024 nga “Reporterët pa Kufij”, liria e medias në Shqipëri është e kërcënuar seriozisht nga ndërthurja e interesave politike dhe biznesore. Kuadri ligjor i pamjaftueshëm dhe rregullimi i njëanshëm lënë hapësirë për kontroll dhe intimidim.
Gazetarët përballen me presione të vazhdueshme, si nga politikanët, ashtu edhe nga krimi i organizuar, duke ndikuar drejtpërdrejt në pavarësinë editoriale dhe në të drejtën e publikut për informim të paanshëm.
Shqipëria 2024 – Raporti i Amnesty International
E drejta për shëndetësi
Pacientët me kancer u mohuan trajtim falas në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Disa prej tyre u transferuan nga mjekët në klinikat e tyre private me pagesë. Mjekët e përfshirë u pezulluan dhe hetimet janë në zhvillim. Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore shprehu shqetësime për mangësitë në infrastrukturën shëndetësore, mungesën e personelit, mungesën e aksesit në shërbimet e specializuara për shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe shpërndarjen e pabarabartë të shërbimeve shëndetësore, sidomos në zonat rurale.
Dhuna seksuale dhe me bazë gjinore
Policia raportoi se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, 686 gra u dhunuan në familje – një rritje me 30 raste krahasuar me vitin e kaluar. Një studim i publikuar në maj tregoi se mungesa e mbështetjes institucionale detyron viktimat të kthehen tek abuzuesit. Komiteti i OKB-së theksoi se duhet rishikuar procedura për ndihmën juridike falas për të garantuar akses më të mirë për viktimat e dhunës në familje.
Trajtim çnjerëzor apo degradues
Në janar, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës shprehu përsëri shqetësime për kushtet e rënda të pacientëve psikiatrikë në burgje. Në një objekt të përkohshëm për pacientë psikiatrikë brenda Burgut të Lezhës, komiteti evidentoi mbipopullim, mungesë të stafit mjekësor dhe infrastrukturë të dobët. Nënkomiteti i OKB-së për Parandalimin e Torturës raportoi gjithashtu numër të lartë personash në paraburgim dhe akses të pamjaftueshëm në kujdes shëndetësor për të burgosurit.
Liria e shprehjes
Në maj, Indeksi Botëror i Lirisë së Medias 2024 nga “Reporterët pa Kufij” vlerësoi se liria dhe pavarësia e medias në Shqipëri janë të kërcënuara nga konfliktet e interesit mes botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor i mangët dhe rregullime të njëanshme. Gazetarët vazhdojnë të përballen me intimidim nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Të drejtat e refugjatëve dhe migrantëve
Në janar, Gjykata Kushtetuese miratoi marrëveshjen me Italinë për ngritjen e dy qendrave ndalimi për azilkërkuesit e shpëtuar në det nga anijet shtetërore italiane, pavarësisht shqetësimeve për ndalime arbitrare. Azilkërkuesit e parë, nga Bangladeshi dhe Egjipti, u kthyen në Itali pas një vendimi të gjykatës italiane që u njohu të drejtën për shqyrtim të kërkesave për azil në Itali.
Diskriminimi
Romët dhe Egjiptianët
Në prill, Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) vuri në dukje vështirësitë e vazhdueshme për komunitetet rom dhe egjiptian në lidhje me regjistrimin e lindjes, marrjen e dokumenteve të identitetit dhe aksesin në shërbimet publike. Komiteti gjeti prova të ndarjes dhe diskriminimit de facto ndaj fëmijëve romë dhe egjiptianë në disa shkolla.
Personat LGBTI
Në maj, një martesë simbolike mes të njëjtës gjini në Tiranë shkaktoi reagime të forta nga e djathtapolitike dhe grupet fetare, duke nxitur gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTI. Në korrik, Eksperti i Pavarur i OKB-së për mbrojtjen kundër dhunës dhe diskriminimit mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të harmonizojnë ligjet dhe politikat me realitetet që përjetojnë personat LGBTI, përfshirë stigmën dhe diskriminimin në arsim, shëndetësi, punësim dhe jetën e përditshme.