Gjatë diskutimit të bizneseve me ministren Delina Ibrahimaj dhe kryeministrin Rama, ky i fundit ka debatuar me një ndërtues, i cili ishte i pakënaqur me taksat e qeverisë për ndërtimet e reja.
Sipas tij, taksa 3% e kontributit social dhe VKM e këtij viti për ndërtuesit janë kosto shumë të mëdha për biznesin e tyre, teksa tha se këto taksa ua bëjnë të pamundur mbarimin e biznes planit të tyre,
“Gjithashtu kemi kosto tjetër shumë të madhe që është eficenca teknike, që është një taksë që duhet të rishikohet në varësi të metrave katrorë që ndërtuesi ndërton. Dy më kryesoret janë taksa 3% e kontributit social që është një kosto shumë e madhe dhe VKM e këtij viti në mes të vitit dhe e kemi të pamundur të mbarojmë biznes-planin tone”, tha njëri prej ndërtuesve.
Por e menjëhershme ka qenë përgjigja e kryeministrit Rama, i cili ua tha hapur ndërtuesve se nuk do të lejohen më që t’i shesin apartamentet me 2000 euro për metër katror dhe t’i deklarojnë me 850. Sipas tij, ndërtuesit kanë menduar se do të gënjenin pambarimn shtetin, por me ligjin e ri asnjë prej tyre nuk ka mundësi të deklarojë më pak sesa përfiton nga shitja e apartamenteve.
“Po të jap unë përgjigje. Ky nuk diskutim për taksat por për procedurat. Meqë e kërkove, po ta jap përgjigjen që ta dëgjojnë gjithë ndërtuesit. Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do t’ju thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin? Këtë nuk kishit parashikuar ju? Që ju kishit bërë një plan biznesi që do gënjenit shtetin pambarim? Që do shisnit apartamente me 2000 euro dhe do i deklaronit të shitura me 850 euro? Plan biznesi e keni ju edhe evazionin? Nuk kishit parashikuar që do vinte momenti që shteti do ju thoshte stop”, u shpreh kryeministri në përgjigjen e tij.