Rama “zhduk” inceneratorët/ Plani i ri për mbetjet, përpjekja për të fshehur “malin” e vjetër të korrupsionit

Kryeministri Edi Rama dhe vartësja e tij, ministrja Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, prezantuan Strategjinë e Menaxhimit të Mbetjeve për periudhën 2025-2030.

Në një event publik, i cili synonte të tregonte një “vizion të ri” për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri, mungoi një fjalë kyçe që ka qenë qendër e debatit publik dhe politik për vite me radhë: inceneratori.

Një strategji e re, por me të shkuar të paadresuar

Në qendër të fjalimit të kryeministrit ishin detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë për integrimin në Bashkimin Europian.

 Ai u shpreh se qasja e re ndaj menaxhimit të mbetjeve do të përfshijë masa ligjore, mbyllje të landfilleve ilegale dhe krijimin e Operatorit të Menaxhimit të Mbetjeve, që do të centralizojë zbatimin e projekteve në këtë fushë

Megjithatë, gjatë gjithë prezantimit, nuk u përmend asnjëherë fjala “incenerator”, një term që prej vitit 2014 ka qenë simbol i një prej skemave më të mëdha të dyshuara për korrupsion në historinë e qeverisjes shqiptare.

Po ashtu, Rama njoftoi se me krijimin e Operatorit të Menazhimit të Mbetjeve, roli thelbësor i bashkive do të dalë jashtë loje.

“Nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por do të jetë një proces i administruar nga ky operator kombëtar, në bashkëpunim patjetër me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe ku në raport me të cilin, bashkitë do të jenë klientë njësoj siç janë klientë të operatorëve të tjerë për të tjera shërbime”, tha ai.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, për të justifikuar planin e ri për mbetjet tha se aktualisht mblidhen rreth 98% të mbetjeve të gjeneruara në territor. Sipas saj, është i nevojshëm një plan i ri për menaxhimin dhe trajtimin e tyre, që shkon përtej kapaciteteve të bashkive.

“Në vitin 2013 mblidheshin 51% e mbetjeve në territor, në vitin 2020 mblidheshin 87% e tyre, kurse në vitin 2024, gati 98% e mbetjeve. Në vitin 2013 kishim vetëm një landfill, atë të Bushatit, sot kemi 7 pika fundore të trajtimit të mbetjeve”, tha Kumbaro.

Nga premtimi për teknologji moderne te ngrehinat bosh

Qeveria shqiptare, që prej vitit 2014, nën drejtimin e Edi Ramës, promovoi ndërtimin e tre inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, si zgjidhje moderne për menaxhimin e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë. Por pas një dekade, realiteti është krejt tjetër.

Jo vetëm që lavdia u shkërmoq, por bashkë me të, u arrestuan dhe u shpallën fajtor për shpërdorim detyre ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka si dhe ish-Sekretarit i Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, lidhur me aferën e koncesionit të inceneratorit të Tiranës.

Tre inceneratorët dhe gllabërimi i miliona eurove

Inceneratori i Elbasanit, me kosto koncesionare 22 milionë euro, u ndërtua pjesërisht, por sot është i paoperueshëm. Kontrata iu dha kompanisë “Albtek Energy”, pa përvojë apo kapacitet financiar, e drejtuar nga Stela Gugallja, një emër tashmë i lidhur me hetime për korrupsion dhe mashtrime financiare.

Inceneratori i Fierit, me një kosto prej rreth 30 milionë euro, ndonëse u ndërtua fizikisht si objekt, nuk ka funksionuar asnjë ditë, për shkak të mangësive teknike. Kontrata iu dha kompanisë së Klodian Zotos, i cili gjithashtu është subjekt hetimi për skemën korruptive.

Inceneratori i Tiranës, me një kosto fillestare prej 128 milionë euro, nuk ekziston fare si strukturë funksionale. Është një projekt “fantazmë”, teki cili janë derdhur miliona euro për një shërbim që realisht nuk ofrohet.

Kompania fituese, “Integrated Energy bv”, ishte e lidhur me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, të dy këto emra të përfshirë në skandale të rënda financiare.

Në total, janë shpërdoruar mbi 170 milionë euro nga buxheti i shtetit, për inceneratorë që nuk funksionojnë dhe që, në shumicën e rasteve, nuk ekzistojnë as si impiante të ndërtuara plotësisht.

Strategji e re, por kush mban përgjegjësi për korrupsionin e vjetër?

Ndërkohë që qeveria kërkon të prezantojë një fillim të ri me një “strategji të freskët”, refuzimi për të përmendur dështimin me inceneratorët ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe vullnetin për të marrë përgjegjësi.

Këto projekte nuk ishin thjesht pjesë e një strategjie të gabuar teknike – ato përfaqësojnë një dështim të madh qeverisës dhe një skemë të dyshuar korrupsioni, për të cilën disa zyrtarë dhe biznese janë sot nën hetim, ndërsa të tjerë kanë shmangur deri më tani përballjen me drejtësinë.

Edhe pse Rama e cilëson strategjinë e re si një hap përpara drejt BE-së, dështimi i inceneratorëve tregon për një realitet të thellë të mungesës së përgjegjësisë institucionale, që në vetvete është një pengesë serioze për integrimin.

Vizion i ri që shitet si “mbuluesë” për korrupsionin e vjetër

Në vend që të shërbejë si një moment reflektimi për një nga skandalet më të mëdha të qeverisë, prezantimi i strategjisë 2025-2030 u shoqërua me heshtje selektive dhe shmangie të vetëdijshme të termave që mund të ngjallnin debat publik. Në mungesë të një ndjese apo transparence për të kaluarën, vizioni i ri për menaxhimin e mbetjeve mbetet i kufizuar dhe i dyshimtë.

Për sa kohë që qeveria nuk pranon gabimet e së shkuarës dhe nuk mban përgjegjësi për fondet publike të shpërdoruara, çdo strategji e re rrezikon të jetë thjesht një “ripaketim” i një historie të dështuar.