Kreu i SPAK, Altin Dumani ka thënë sot se kanë përfunduar hetimet lidhur me skandalin e mikrokredive dhe se tashmë çështja është në gjykatë.
Ishte deputeti Erlad Kapri, i cili i kërkoi Dumanit informacione rreth hetimeve të çështjes së mikrokredive, pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua para dyerve të SPAK ku një qytetar, viktimë e këtyre mikrokredive, u vetëvra, ndërsa mijëra qytetarë u mashtruan.
“Hetimet kanë përfunduar, çështja është në gjykatë. Janë dërguar për gjykim 16 shtetas dhe katër persona juridikë si dhe janë sekuestruar 420 milionë lekë dhe 1.3 milionë euro, krahas dy subjekteve financiare dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme”- tha Dumani.
Ndërkohë një tjetër çështje që ngriti deputeti Kapri në Komisionin e Ligjeve ka qenë deklarata e fortë që kreu i SPAK, Altin Dumani bëri një vit më parë ku tha se zyrtarë të policisë bashkëpunojnë me krimin e organizuar.
“Edhe hetimet e këtij viti tregojnë që elementë të Policisë së Shtetit kanë qenë pjesë të grupeve të strukturuara kriminale apo ju kanë shërbyer grupeve kriminale. Edhe kur e kam thënë kam patur parasysh rezultatet e hetimeve konkrete”- tha mes të tjera Dumani, i cili shtoi se Policia e Shtetit ka djem dhe vajza shumë të mirë dhe të dedikuar në kryerjen e punës së tyre.
Dumani u pyet edhe në lidhje me ngjarjen që ndodhi në SPAK, ku godina e Prokurorisë së Posaçme u rrethua fill pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe deklaratës së Ramës një ditë më pas “mos bëni gabim të merrni telefonin tim”.
Erald Kapri: A është kërcënim ndaj jush zoti Dumani sepse në gjykimin tim është një kërcënim i drejtpërdrejt nga ana e kryeministrit dhe ka një perceptim që ndoshta “vija e kuqe” është kryeministri. Pra a është vërtet nje “vijë e kuqe” apo ju në asnjë rast nuk do të hezitonit t’i hapnit një procedim penal kryeministrit?
Teksa e quajti një ngjarje të shëmtuar rrethimin e godinës së SPAK dhe GJKKO, Dumani tha se Prokuroria e Posaçme nuk ka “vijë të kuqe” dhe se ajo është prova dhe vetëm prova, për të gjithë prokurorët e SPAK.
“Në momentin që ka prova, pak rëndësi ka emri”- tha Dumani.