Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit, ndonëse procesi i numërimit të votave nuk ka përfunduar ende.
Sipas Ramës, fitorja e Donald Trump ishte e jashtëzakonshme.
Në shënimin e tij, Rama shton se mezi pret të punojë me presidentin e 47-të të Shtetve të Bashkuara të Amerikës “për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”.
“Urime për @realDonaldTrump në këtë fitore të jashtëzakonshme. Ishte një nder i vërtetë të punoja përkrah Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen mes dy vendeve tona. Mezi pres privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, shkruan Rama.
Por, tetë vite më parë, kryeministri Edi Rama kishte tjetër mendim për Donald Trumpin, të cilin e cilësonte si rrezik për Amerikën dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
“Unë e kam thënë hapur atë që mendoj për Donald Trumpin dhe s’e kam problem ta përsëris, as këtu, as kudo që të jetë, as në shqip dhe as në anglisht, që Trump është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet që është kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Që i bie që, mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin president, sepse do të ishte një president, që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sgurisht do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.”, shprehej Rama në një emision televiziv në vitin 2016.