Rama shënjestron ndërtuesin: Ka marrë leje me një fasadë të mbuluar me pemë, s’ka mbjellë asnjë

Teksa prezantoi sot paketën e masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, kryeministri Edi Rama ka shënjestruar një prej ndërtuesve në kryeqytet që sipas tij, ka marrë leje për ndërtimin e një fasade të mbuluar me pemë, por nuk ka mbjellë asnjë.

Megjithatë kreu i qeverisë nuk përmendi emrin e ndërtuesit, për të cilin tha se nuk do të marrë më leje nëse nuk i mbjellë pemët. Ndër të tjera, Rama paralajmëroi një listë të zezë për ndërtuesit që zihen në faj si dhe masa të rënda për ata që shesin apartamentet dy herë, një fenomen që ka ndodhur shpesh në vendin tonë.

Rama tha po ashtu se aksioni i nisur gjatë verës për lirimin e hapësirave publike do të vijojë gjatë gjithë mandatit të katërt.

“Njerëzit paguajnë për të blerë apartamente dhe dëgjojnë nga ndërtuesit lloj përrallash, te projektet kanë ato kopshtet si Babiloni.

Ka një ndërtues këtu në Tiranë, që ka marrë leje me një fasadë e mbuluar me pemë. Asnjë pemë s’ka aty. S’ka për të marrë më leje nëse nuk mbjell pemët një për një. Ti blen apartament dhe shpreson të të bjerë një komshi i mirë dhe të bie një axhustator. Ditën kur sharrohet një dërrasë, ti e ke sharrën në tru dhe mezi pret ditën kur të ngjitet një gomë biciklete që të mos dëgjosh asgjë. Është një nen magjik, që është përdorur në mënyrë abuzive nga njësitë vendore: Leje për punë përgatitore. Dhe janë bërë lloj lloj abuzimesh”- u shpreh Rama.