Rama “pastron” krahun e Erion Veliajt, japin dorëheqjen katër nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës

Katër nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës kanë dhënë dorëheqjen nga detyra, këtë të enjteje. Bëhet fjalë për Frida Pashakon, Keti Luarasin, Jonida Halilin dhe Andi Seferin, të cilët kanë larguar pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për atë që ai e cilësoi si “freskim” të institucioneve.

Mediat raportojnë se gjatë kësaj të enjteje do të prezantohen katër nënkryetarët e rinj të Bashkisë më të madhe të vendit.

Bëhet fjalë për Vasilika Vjero, Blend Sulaj, Ilir Mengra dhe Gentian Keri, të cilët priten të marrin detyrën si nënkryetarë të rinj të bashkisë.

Me këto largime, Rama ka menduar të ‘pastrojë” njerëzit e afërt të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej gjashtë muajsh në paraburgim.

Pak ditë më parë, SPAK vendosi të marrë të pandehur Erion Veliajn për katër vepra penale si; korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim të ardhurash dhe futje të sendeve të ndaluara në ambientet e burgut.