Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot një reformë për Prefekturat, pasi sipas tij e kanë humbur peshën dhe kuptimin.
Deklarata e Ramës u bë sot teksa prezantoi Albana Koçiun si Ministre e Brendshme. Kreu i qeverisë tha se Prefekturat janë institucione që e kanë humbur kuptimin e tyre ndërsa ua la si detyrë ministres Albana Koçiu dhe Ministrit të Shtetit për Pushtetin vendor për të nxjerrë konkluzionin nësë duhen apo jo Prefekturat, dhe nëse po si duhet të funksionojnë.
Sipas tij, sot Prefekturat janë fole që vetëm shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër zeros.
“Ta shikojë 360 gradë fushën e punëve të Brendshme, se ndarja është shumë e qartë, dhe në ligjin shqiptar dhe atë europian, por ligji nuk mund të mbetet në letër në këtë aspekt që po flas dhe forca e zakonit shqiptar të na imponojë të njëjtin avaz.
Po ti referohesh inventarit të politikave dhe strategjive të punëve të brendshme inventari është i plotë, madje dhe paratë e harxhuara nga donator dhe buxheti i shtetit për angazhimin e shkurtuarave janë goxha, por po të shikon veprimtarinë e përgjithshme, apo strukturave jo drejtpërdrejtë të policisë, kupton se këto strategji janë letra.
Prefekturat sot janë institucione që e kanë humbur peshën, kuptimin. Na duhet reformë për prefekturat, të cilën do ta bashkë udhëheqin ministrja e brendshme me ministrin e shtetit për pushtetin vendor. Do nxjerrin konkluzion a na duhen apo jo prefekturat. Dhe nëse po, çfarë forme duhet të kenë, si të bëhen vlerë e shtuar, dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër 0-s”, tha Rama.