Dhjetëra qytetarë shkodranë kanë dalë sot në një marshim-protestë pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua në lagjen Dobraç të këtij qyteti, ku në një atentat mafioz humbën jetën dy të rinjtë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndërsa viktimë mbeti edhe 56 vjeçarja Flutura Basha.
Ky tubim paqësor u thirr nga opozita, ndërsa sot përveçse qytetarëve, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të PD, si Gazment Bardhi, Luan Boçi, Agron Gjekmarkaj, Luan Baçi dhe deputetët të tjerë.
Në duar ata mbajnë edhe një pankartë gjigante ku shkruhet: “Qytetërimi është më i fortë se krimi! Po na vrasin duhet reagim“.
Qytetarët mbajtën edhe një minutë heshtje për viktimat e atentatit në Dobraç, ku mes tyre ishte dhe një qytetare e pafajshme, Flutura Basha.
Një ngjarje të paralajmëruar e konsideroi kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi masakrën në Dobraç ndërsa shtoi se krimi ka marrë pushtet për shkak të lidhjeve me qeverinë.
Ndërkohë drejtuesi politik i PD në Shkodër, Luçiano Boçi u shpreh se marshimi nuk bëhet vetëm për Shkodrën, ku ndodhi masakra me 3 viktima, por për të gjithë vendin.