Gazetari Osman Stafa ka bërë një tjetër denoncim sot teksa ka publikuar mesazhin e një qytetareje, e cila e ka të pamundur të blejë ilaçin për sëmundjen që ajo ka. Gruaja nga Patosi ka kërkuar ndihmë, pasi gjendja e saj shëndetësore është e rëndë për shkak të diabetit dhe sëmundjes së cirozës në mëlçi, që i ka prekur edhe pankreasin.
Referuar mesazhit të bërë publik, qytetarja thotë se përveç gjendjes së rënduar për shkak të sëmundjes, nuk mundet ta sigurojë ilaçin pasi shteti nuk e ofron mundësinë e rimbursimit.
Edhe pse i është drejtuar Fondit të Rimbursimit të Ilaçeve, qytetarja shkruan se as aty nuk ka gjetur zgjidhje. Po ashtu nënvizon se me pensionin prej 97 mijë lekësh të vjetra, e ka të pamundur blerjen e ilaçeve.
Gazetari i bën thirrje Ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu që t’i japë zgjidhje rastit në fjalë.