Qytetarja denoncon mungesën e ilaçeve te Onkologjiku: Avastina nuk është prej 6 javësh, nga spitali më marrin me numër privat

Nuk kanë të ndalur skandalet të spitali i Onkologjikut, ku të sëmurët me kancer përballen me mungesë të medikamenteve.

Gazetari Osman Stafa ka publikuar një video ku shfaqet një qytetare, e cila denoncom me zë dhe figurë mungesën e Avastinës, medikament që mungon prej 6 javësh. Klementina Aliaj thotë se ka ardhur dy herë nga qyteti i Vlorës ku ajo jeton dhe te Onkologjiku ka mungesë të këtij ilaçi jetik.

Ajo thotë se spitali e ka marrë me numër privat për ta njoftuar, duke e konsideruar jo normale, ndërsa nuk ka një datë se kur do të mund të marrë sërish ilaçin.

“Mungon Avastina, atë kam më kryesorin. Kam 5 vjet që mjekohem. Më është ndërprerë 2-3 herë mjekimi, asnjëherë se kam pasur të rregullt. Tani është radha e dytë që po vij brenda gjashtë javëve nga Vlora dhe nuk e gjej. Më thonë që do zgjasë akoma. Më marrin me numër privat nga spitali dhe më thonë që mjekimi nuk është. Nuk më duket e drejtë që të marrë me numër privat spitali. Smë duket e drejtë të njoftojnë me numër privat. Mjekja më tha që do zgjasë akoma mungesa e Avastinës. Ka gjashtë javë të paktën që mungon. Ky është medikamenti më i rëndësishëm, është jetik. S’po kërkojmë as bukë as ujë, po kërkojmë ilaçin për të jetuar” – shprehet qytetarja Klementina Aliaj nga Vlora.