Qeveria shpenzon miliona euro për sigurinë kibernetike, por hakerat sulmojnë faqen zyrtare të RTSH

Faqja zyrtare e Radio Televizionit Shqiptar është hakeruar një ditë më parë teksa në të janë shfaqur lajme të rreme në lidhje me Kosovën. Sulmi raportohet se ka ndodhur dje rreth orës 18:00, kur përdoruesit që vizitonin faqen zyrtare të transmetuesit publik shqiptar u ndeshën me tituj dhe lajme të rreme.

“Shqipëria tërheq njohjen e Kosovës”, “Kosova është Serbi”, ishin vetëm disa nga titujt që u vendosen në faqen zyrtare të RTSH-së.

Në një reagim zyrtar, RTSH konfirmoi hakerimin e llogarive dhe shkruant se po punonin për të rikthyer sigurinë dhe për të fshirë çdo përmbajtje te papërshtatshme që është publikuar.

“Llogaria jonë ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar postime të paautorizuara. Po punojmë për të rikthyer sigurinë dhe për të fshirë çdo përmbajtje të papërshtatshme.

Ju këshillojmë te mos ndërveproni me postimet e dyshimta dhe të raportoni çdo aktivitet te pazakontë. Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet në njoftim.

Por ky sulm ngre pikëpyetje lidhur me sigurinë kibernetike në vend, ku qeveria ka shpenzuar miliona euro në vitet e fundit për të blerë pajisjet hardware, software, licencat, sistemet etj. Por pavarësisht këtyre shpenzimeve të mëdha hakëruesit e kanë gjetur rrugën të depërtojnë në faqen e RTSH, siç ka ndodhur me faqet e institucioneve të tjera ne vend.

Kujtojmë se në muajin korrik të 2022-it, Shqipëria u godit një sulm i madh kibernetik, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.