Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro njoftoi sot se Shqipëria ka arritur një marrëveshje të rëndësishme me Bankën Botërore. Vendi ynë do të marrë një kredi prej 75 milionë eurosh e cila do të përdoret për të investuar në të gjithë sistemin e pastrimit për bashkitë që lagen nga Lumi Vjosa.
Vjosa, pagëzuar si lumi i vetëm i egër i Europës, prej një viti edhe Park Kombëtar, është venddepozitim i ujërave të ndotura nga bashkitë.
7 bashkitë që konfirmohen si ndotëset e lumit nuk disponojnë sistemet e filtrimit, pasi kostoja e tyre llogaritet mbi 20-30 fish i buxhetit lokal. Shkarkimi në Vjosë i ujërave të patrajtuara rrezikon florën dhe faunën.
Zgjidhjen e situatës qeveria e ka gjetur me një hua, duke rritur kështu borxhin e shqiptarëve ndaj Bankës Botërore.
Miratuam një marrëveshje shumë te rëndësishme kredie me Bankën Botërore, më saktë me Bankën Ndërkombëtare për Zhviullim dhe Rindërtim, prej 75 milionë eurosh për të investuar të gjithë sistemin e pastrimit, pajisjeve dhe impianteve të ujërave të ndotura të bashkive që lagen nga lumi i Vjosës. Siç e dini, Lumi i Vjosës është shpallur Park Kombëtar, i pari dhe i vetmi i lumit të fundit të egër në Evropë. Nuk mund të kemi një Park Kombëtar të tillë nëse nuk merremi me mirëmbajtjen. Është një punë e gjatë që kurorëzohet sot, terreni është i vështirë, janë 480 km vijë lumore. Praktikisht, sot për shkak të gjithë aktivitetit njerëzor rreth e rrotull, ujërat e ndotura derdhen në lumin e Vjosës”, tha sot Kumbaro në deklaratë e saj.