Vendosja në punë e TEC-it të Vlorës është premtuar nga qeveria prej 2 vitesh, por deri më sot vetëm janë shpenzuar miliona euro dhe asgjë nuk është bërë.
Që kur është ndërtuar 12 vjet më parë, TEC-i i Vlorës i ka ngarkuar shqiptarët me një faturë rreth 200 milionë euro, pa funksionuar asnjë ditë të vetme.
Ndërkohë, sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, i është kthyer sërish kësaj teme, teksa deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se TEC-i i Vlorës është në planet e qeverisë për t’u vënë në punë, por këtë herë pa dhënë një afat, siç ka bërë më herët.
“Qeveria ka në plan që të vërë në punë TEC-in e Vlorës. Është punuar në mënyrë intensive edhe me bashkëpunëtorët tanë. TEC i Vlorës pritet të vihet në funksion. Ky TEC nuk ishte ndezur asnjë ditë, dhe shteti shqiptar ka qenë i detyruar të paguajë një kredi të marrë. Por ne mësojmë nga gabimet e qeverive të shkuara, kemi pasur 45 % humbje të prodhimit të një produkti të çmuar si energjia”, u shpreh ajo.
Nuk dihet se kur do të vihet në punë ky TEC, por dihet vetëm që miliona euro të shqiptarëve po shpenzohen kot, duke vënë në punë TEC-et lundrues, edhe pse çmimi në bursat ndërkombëtare të energjisë ka rënë.