Buxheti i shtetit për vitin 2025 po rishikohet për herë të parë për këtë vit. Kjo është bërë me qëllim financimin e projektit të investimit startup “Machine Thinking Lab”.
Ky start up drejtohet nga Mira Murati, ndërsa qeveria shqiptare do të bëhet aksionere me një vlerë prej 10 milionë dollarësh.
Në aktin normativ, thuhet se Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) sh.a, ka përcjellë kërkesën për financimin e pjesëmarrjes së Qeverisë shqiptare në projektin e investimit startup “Machine Thinking Lab”, në një vlerë jo më pak se 10 milionë USD (1 miliardë LEK).
“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e Al, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtëpërdjrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbeshtetur teknologjitë inovative dhe hulumtimin e avancuar. Kjo do të tërheqë investitorë ndërkombëtarë dhe do të pozicionojë vendin tonë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e AI, një bashkëpunim që do të shërbejë si një mundësi marketingu global për vendin tonë”, thuhet në relacion.
Në aktin normativ thuhet se financimi prej 10 milionë dollarë do të mbulohet nga të ardhurat e fituara nga Agjencia e Adminsitrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe konfiskuara.
Kryeministri Edi Rama gjatë këtij muaji ka deklaruar se Shqipëria do jetë bashkëfinancuese, e start up-it i të Mira Muratit në fushën e inteligjencës artificiale quajtur, Thinking Machines Lab.