Prej fitimit të zgjedhjeve të 11 Majit nga PS, në opinionin publik përflitej për një qeveri teknike, me emra të rinj, të papërfshirë në debatet dhe skandalet e viteve të fundit. Por sot, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë çdo pritshmëri, duke prezantuar një kabinet ku ndryshojnë vetëm karriget, por jo fytyrat.
Në vend të revolucionit dhe reformimit të qeverisë, Rama duket se ka zgjedhur rikompozimin e brendshëm, duke zhvendosur ministra të njëjtë në poste të tjera, ndërsa figurat kyçe mbeten sërish në skenë, ndoshta edhe më të fuqishme se kurrë.
Ndër figurat që dolën më të konsoliduara nga “rokada” e sotme është Belinda Balluku, e cila duket se ka marrë një rol gjithnjë e më dominues brenda qeverisë. Qeveria e sotme shihet si fitorja përfundimtare e Ballukut në garën për pasardhës të Ramës.
Ajo jo vetëm që ruajti pozicionin si zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës, por arriti të mbajë bashkëpunëtorët më të ngushtë në ministritë kryesore, duke forcuar kontrollin mbi strukturat e administratës qendrore.
Petrit Malaj do të vijojë si Ministër i Financave, ndërsa Piro Vengu në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Blendi Gonxhe, një tjetër figurë besnike e Ballukut, merr drejtimin e një “super-ministrie” që bashkon Turizmin, Kulturën dhe Sportin.
Një emër që ngjall polemika është Mirela Kumbaro, e cila vazhdon të mbajë poste ministrore pavarësisht performancës së diskutueshme. Këtë herë, ajo është vendosur në krye të Ministrisë së Arsimit. Por duke pasur parasysh historikun e saj, më e njohur për gafat dhe memet në rrjetet sociale se sa për arritje në institucionet që ka drejtuar, dyshojmë se Kumbaro do të arrijë të sjellë ndryshimet që arsimi shqiptar kërkon me urgjencë.
Elisa Spiropali, një nga figurat më të debatuara të PS-së, kthehet në kabinet me një rol të ri dhe të rëndësishëm: Ministre e Jashtme. Në një kohë kur Shqipëria synon integrimin në BE dhe rritjen e profilit ndërkombëtar, zgjedhja e Spiropalit për të përfaqësuar vendin në arenën diplomatike është e diskutueshme, pasi zëvendëson Igli Hasanin, një prej njerëzve më të përgatitur të qeverisë.
Spiropali, ashtu si Balluku, Gonxhe, Kumbaro dhe Koçiu, është një nga emrat që shpesh janë përfolur në media për afera dhe skandale, çfarë ngre pyetjen nëse ky kabinet do të jetë më i pastër, apo do të vijojë të ndjekë të njëjtin stil me qeveritë e kaluara: Skandale dhe hetime nga SPAK, por nën mbrojtje nga kryeministri.
Me këtë kabinet, Edi Rama duket se nuk ka ndërmend të “pastrojë” radhët, por përkundrazi, po i jep fuqi më të madhe atyre që kanë qenë më të kontestuarit gjatë qeverisjes së tij.
Mesa duket, kreu i qeverisë në këtë moment duket më i interesuar për besnikëri politike, sesa për reputacionin publik apo reformën reale për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Kabineti qeveritar “Rama 4”
Zv.kryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë – Belinda Balluku
Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit – Delina Ibrahimaj
Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin – Adea Pirdeni
Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme – Elisa Spiropali
Ministër i Mbrojtjes – Pirro Vengu
Ministër i Mjedisit – Sofjan Jaupaj
Ministër i Brendshëm – Albana Koçiu
Ministër i Financave – Petrit Malaj
Ministër i Drejtësisë – Besfort Lamallari
Ministër i Arsimit – Mirela Kumbaro
Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Evis Sala
Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Andis Salla
Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Toni Gogu
Ministër Shteti dhe Kryenegociator – Majlinda Dhuka
Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit – Blendi Gonxhja
Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor – Ervin Demo
Ministria e Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike – Diella