Qeveria e Kosovës merr vendimin, do pranojë 50 emigrantë në vit nga SHBA-ja

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që brenda një viti të pranojë deri në 50 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky vendim u miratua të mërkurën, ndërsa pohohet se emigrantët do të qëndrojnë në Kosovë, me qëllim të lehtësimit të kthimit të sigurt të tyre në vendin e prejardhjes.

“Miratuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për pesëdhjetë (50) persona, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet  Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Personat subjekt të këtij Vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të bëhet nga një listë e propozuar, për ata që i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe të rendit publik.

Sipas Kurtit, emigrantët gjatë qëndrimit në Kosovë do të veprojnë “në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara, por sipas legjislacionit tonë në fuqi”.

Ai thekson se SHBA mbetet aleate e palëkundur e Republikës së Kosovës dhe gjithmonë do jetë partner i besueshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik”, ka thënë Kurti.