Qeveria braktis familjet e prekura nga tërmeti, prej 7 muajsh asnjë bonus qeraje

 Prej 7 muajsh banorët e prekur nga tërmeti i 2019 nuk marrin bonus qiraje.

Edhe pse qeveria këto vite ka deklaruar se askush nuk do të mbetej pa mbështetje deri në akomodimin përfundimtar të tyre,  premtimet duket se nuk i përkasin realitetit.

Dhjetëra familje në bashkinë Kurbin prej muajsh trokasin në dyert e institucioneve për të gjetur një zgjidhje, por sipas Bashkisë mungojnë fondet nga qeveria që prej 1 prillit.

Denoncimi është bërë nga qendra Sebastia e cila i ka bërë edhe kërkesë Bashkisë:

“Pas ankesave të dhjetra qytetarëve të prekur nga tërmeti, që prej muajsh nuk marrin bonusin e qerasë dhe rropaten në dyert e institucioneve për të gjetur zgjidhje, i jemi drejtuar me kërkesë për informacion Bashkisë Kurbin. Bashkia Kurbin na bën me dije se kanë munguar fondet nga ana e qeverisë.

Nuk mjafton fakti që qindra familje në Kurbin janë akoma pa një banesë, por tashmë janë edhe pa mbështetjen e shtetit. Qiradhënësit rrezikojnë t’i nxjerrin përjashta ku i pret një dimër i cili vetëm sa ka filluar.

Qeveria nuk pati mungesë fondesh në kohën e zgjedhjeve lokale të 14 majit, nuk i mungojnë fondet për të paguar çdo ditë inceneratorin e Tiranës pavarësisht se është i sekuestruar nga SPAK-u. Prandaj i bëjmë thirrje të disbursoje sa më parë fondet për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.”

Jo vetëm në Kurbin por edhe në Durrës e Tiranë ka akoma familje që nuk kanë hyrë ende në hyrjet e premtuara, pasi pallatet e tyre u dëmtuan rëndë nga tërmeti. Kanë kaluar katër vjet dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë zbehet shpresa për banesa të reja, ndërsa duket se që prej muajit prill asnjë nga këto familje nuk merr bonusin e qirasë.

Pak ditë më parë i njëjti denoncim u bë nga dhjetëra familje në Durrës.