Qëndresa Qytetare depozitoi sot në Prokurorinë e Posaçme SPAK kërkesën për verifikimin dhe hetimin e shkeljeve të konsumuara nga 22 Kryetarë Bashkish në zgjedhjet e 14 majit, nëpërmjet përdorimit të aseteve publike dhe mosplotësimit të detyrimeve ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor.
Në analizën e QQ, veprimet e kryetarëve të bashkive plotësojnë të gjitha elementet e figurave të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuara në nenin 248 të Kodit Penal, si dhe të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të parashikuara në nenin 327/a të Kodit Penal.
5 nga 22 Kryetarët apo ish-kryetarët e ndëshkuar të Bashkive rezultojnë të kërkojnë perseritjen e shkeljeve të tyre, madje disa nga këto subjekte aktualisht gëzojnë pozitën e personit nën hetim për vepra të ndryshme penale, ose statusin e të pandehurit apo të dënuarit. Ky fakt shton dhe më shumë dyshimet se këto subjekte, nuk kanë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor në të njëjtën mënyrë sikundër nuk kanë respektuar legjislacionin në fuqi për veprat penale për të cilat janë nën hetim apo akuzohen të kenë kryer.
Nisur nga ky konstatim, inkurajojmë SPAK dhe drejtuesin e saj që pas verifikimit të rasteve, të fillojnë ushtrimin e ndjekjes penale me qëllim jo vetëm dhënien e drejtësisë, por dhe dekurajimin e sjelljeve që shtrembërojnë barazinë e subjekteve në zgjedhje dhe dëmtojnë zgjedhjet e lira dhe të barabarta. Nga ana tjetër, inkurajojmë Departamentin e Administratës Publike të marrë masat e duhura disiplinore për 31 Sekretarët e Përgjithshëm dhe zyrtarët me status të nenpunesit civil, të cilët kanë shkelur në zgjedhjet e 14 Majit. Inkurajojmë KQZ-në të drejtojë në kohë të gjitha rastet e evidentuara me dyshime për figurat e veprave penale në zgjedhjet vendore apo qendrore tek organet e hetimit penal.
Na ndajnë më pak se 1 vit nga Zgjedhjet Parlamentare, prandaj kontributi i çdo strukture ka rëndësi, për të mbajtur Shkollat, Kopshtet, Spitalet, zyrtarët dhe paratë publike larg përdorimit për qëllime elektorale. Çdokush që do të vendosë partinë përpara detyrës publike do duhet të përballë drejtësinë.





