Gjykata Europiane i ka dhënë një “shuplakë” qeverisë italiane të Giorgia Melonit lidhur me listat e vendeve të sigurta të origjinës.
“Përcaktimi i një vendi të tretë si “vend i sigurt origjine” duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi gjyqësor efektiv. Kjo u vendos nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian në vendimin e saj mbi ankesën kundër procedurës kufitare në lidhje me kampet e refugjatëve në Shqipëri”- bëjnë me dije mediat italiane.
Një shtetas i një vendi të tretë, thotë Gjykata, mund t’i refuzohet kërkesa e tij ose e saj për mbrojtje ndërkombëtare pas një procedure të përshpejtuar kufitare nëse vendi i tij ose i saj i origjinës është përcaktuar si “i sigurt” nga një Shtet Anëtar.
Gjykata specifikon se një përcaktim i tillë mund të bëhet nëpërmjet një akti legjislativ, me kusht që akti legjislativ t’i nënshtrohet një shqyrtimi gjyqësor efektiv në lidhje me pajtueshmërinë me kriteret thelbësore të përcaktuara nga ligji i BE-së.
Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë i konsideron të drejta vendimet e gjykatave të Romës, që kthyen dy herë gjatë vitit të kaluar grupet, njëri me 12 dhe tjetri me 7 emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi. Gjykatësit në Romë i konsideruan vendet e tyre të origjinës jo të sigurta, teksa qeveria e Giorgis Melonit i kishte futur ato në listën e origjinave të sigurta.