Harvard, Stanford dhe Pennsylvania kryesojnë listën, ndërsa universitetet aziatike po ngjiten me shpejtësi
Një analizë e re e publikuar nga platforma Visual Capitalist tregon se disa universitete janë bërë inkubatorë të vërtetë për miliarderët e botës.
Sipas të dhënave të studimit të Salas Díaz & Young (2024), shumica e pasurisë globale buron nga startup-et teknologjike dhe nismat sipërmarrëse, me dominimin e qartë të universiteteve amerikane, por me një rritje të ndjeshme të institucioneve aziatike në listë.
Raporti, i bazuar në të dhëna të mbledhura deri në mars 2021 dhe publikuar në shtator 2024, rendit universitetet sipas numrit të ish-studentëve që janë bërë miliarderë, shkruan Shqip.al.
Harvardi kryeson listën, ndjekur nga Stanford dhe Universiteti i Pensilvanisë, ndërsa Mumbai, Tsinghua dhe Peking nga Azia po ngjiten shpejt në hierarki.
Harvardi: qendra e miliarderëve
Harvard mbetet universiteti që ka prodhuar më shumë miliarderë, 125 prej tyre në total, të cilët zotërojnë një pasuri të kombinuar prej gati 600 miliardë dollarësh.
Lista përfshin emra si Steve Ballmer (ish-drejtor ekzekutiv i Microsoft) dhe Michael Bloomberg, themelues i Bloomberg L.P., ndërsa as nuk përfshin figura si Bill Gates dhe Mark Zuckerberg, të cilët e lanë studimin në Harvard pa e përfunduar.
Universitetet që ndjekin Harvardin janë po ashtu institucione elitare amerikane me lidhje të forta me sipërmarrjen teknologjike.
Stanford University, që ndodhet në zemër të Silicon Valley, numëron ndër ish-studentët e tij bashkëthemeluesin e Yahoo, Jerry Yang, dhe atë të DoorDash, Andy Fang.
Universiteti i Pensilvanisë renditet i treti, duke u krenuar me Elon Musk, drejtuesin ekzekutiv të Tesla-s, si ndër më të famshmit.
Në Columbia University, një tjetër emër i madh në listë, ka studiuar Warren Buffett, investitori legjendar që qëndron pas Berkshire Hathaway.
Massachusetts Institute of Technology (MIT), nga ana tjetër, ka formuar liderë si Charles Koch, drejtues i Koch Industries, duke dëshmuar rolin e tij në ndërthurjen mes teknologjisë dhe industrisë.