Ambasada holandeze në Tiranë ka reaguar pas vendimit të mazhorancës socialiste, për të mos dhënë autorizimin për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK.
Ambasada holandeze thotë se një kërkesë kyçe për përparimin e Shqipërisë drejt rrugës në Bashkimin Europian është ndjekja penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta.
“Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi”- thotë ambasada në postimin e saj.
Reagimi:
Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë në lidhje me heqjen e imunitetit, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri deklaron: Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi.