Partia Socialiste do të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare, ku pritet që kryeministri Edi Rama të zbulojë emrat e rinj të ministrave që do të formojnë kabinetin qeveritar.
Asambleja do të mblidhet te Pallati i Kongreseve, ku pas miratimit të rendit të ditës, fjalën do ta marrë kreu i qeverisë, në një fjalim që si çdo herë tjetër, pritet të zgjasë më shumë se 1 orë.
Janë të shumtë emrat që qarkullojnë për postet e ministrave, por Rama ka treguar që di të surprizojë, ndaj nuk është çudi që në karrigen e ministrit të mos ulet asnjë prej atyre që përfliten.
Burime për mediat bëjnë me dije se qeveria e re do të jetë shumë pak politike, pasi Rama synon që të shkojë drejt Bashkimit Europian me një qeveri “të pastër”, pa ministra që kanë qenë pjesë e skandaleve apo nën hetim nga SPAK.
Në mbledhjen e Asamblesë, Rama do të flasë edhe për planet e qeverisjes së 4 viteve të ardhshme, ku prioritet është anëtarësimi në Bashkimin Europian, që ishte edhe motoja e fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 Majit.
PS arriti të sigurojë një shumicë prej 83 deputetësh, si asnjëherë më parë nën drejtimin e Ramës. Ndërkohë, nesër do të jetë edhe mbledhja e parë e Parlamentit të ri, ku deputetët e zgjedhur nga 11 Maji do të bëjnë betimin.