Prokuroria nis hetimet ndaj Roland Xhaxhos, mjeku: Prindërit e 3 vjeçarit firmosën konsensusin

Prokuroria ka nisur hetimet për rastin e rëndë që u bë public ditën e djeshme, ku një 3 vjeçar humbi jetën pasi kishte bërë ndërhyrje në dhëmballë.

Prindërit akuzojnë mjekun Roland Xhaxho dhe mbesën e tij Ina Xhaxho, pasi sipas tyre i ka dhënë fëmijës mbidozë narkoze duke bërë që t’i dëmtohet rëndë mëlçia dhe organet e tjera. Fëmija ka ndenjur 3 ditë në reanimacion dhe më pas ka humbur jetën.

Mësohet se Prokuroria ka sekuestruar kartelat në klinikën private ku është kryer operimi dhe kartelën në QSUT ku djali është dërguar në gjendje kome. 

Hetimet kanë nisur edhe për Ina Xhaxhon, pasi edhe ajo kishte marrë pjesë në operacionin e të miturit.

Sipas familjarëve të fëmijës, ai u mbajt 9 orë në operacion dhe direkt më pas mjeku jua dha ta dërgonin në shtëpi. Duke qenë se ai nuk po përmendej dhe vetëm po zverdhej, ata e dërguan në pediatrinë e QSUT ku edhe humbi jetën tre ditë më vonë.

Vetë mjeku ka mohuar gjithë akuzat mbrëmjen e djeshme ku tha se prindërit kishin firmosur për këtë ndërhyrje duke ditur rreziqet, pasi sipas tij fëmija ishte operuar njëherë nga zemra dy vite më parë.

Në deklaratën e tij thuhet se fëmija ka dalë zgjuar nga klinika, në krahët e të atit dhe duke kërkuar vëllain e vogël.

“Mesa duke gjendja është komplikuar në ambiente e shtëpisë dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT nga prindërit. Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme,” – shkruan Xhaxho.