Projekti i rrugës prek shtëpitë e tyre/ Banorët e Hotolishtit protestojnë sërish, bllokojnë aksin kombëtar

Dhjetëra banorë të Hotolishtit kanë dalë sërish në protestë teksa kundërshtojnë ndërtimin e rrugës Librazhd–Prrenjas, pjesë e Korridorit VIII. Ata kërkojnë që të ndërtohet një tunel në mënyrë që rroga të mos kalojë mbi shtëpitë, apo tokat e tyre.

Në protestë ka edhe një numër të lartë të uniformave blu ndërsa banorët kanë marrë edhe fëmijët teksa mbajnë pankarta të ndryshme.

“Protestat do vijojnë pa ndërprerje. Do vendosim si komitet. Nuk mund ta imagjinoj këtë papërgjegjshmëri nga ministrja Balluku. Duhet të dërgonte të paktën një letër të sqaronte. Jemi shumë të indinjuar. Tek e fundit nuk kemi çfarë humbim. Me cfarëdo shpërblimi do të më japin, ku do përplasem unë 60 vjeç? Ndaj ju ka votuar një komb i tërë, që të japin zgjidhje. Po kush po pyet për tokat më, po shtëpinë? Veç plumbi e ndan këtë punë. Edhe serbi nuk e ka bërë këtë punë, ka vra njerëz në rrugë, po shtëpitë i ka lënë”, tha një prej protestuesve.

Shqetësimi më i madh i banorëve lidhet me procesin e shpronësimeve, që sipas tyre është në vlera qesharake dhe nuk pasqyron vlerën reale të pronave të tyre.

Ndërkohë mosreagimin e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku e konsiderojnë të paimagjinueshëm.

Kjo është protesta e katërt e banorëve të Hotolishtit, të cilët kundështojnë projektin e rrugës së re. Protesta e fundit u shoqërua me tensione të forta mes banorëve dhe uniformave blu.