Problemet me zarfet në Greqi/ KQZ letër urgjente DHL-së: Na informoni për 9 çështje

Kur kanë mbetur edhe katër ditë nga 11 maji, problematikat me votën e diasporës mbeten ende prezente.

Në shtetin e Greqisë, kjo çështje mbetet më shqetësuese, sepse krahas vonesave kohore, raportohet se shumë zarfe kanë defekte.

Po ashtu, KQZ-ja thekson se janë dorëzuar zarfe me dokumentacion zgjedhor dorazi nga qytetarë dhe nga një postë tjetër, jo nga DHL-ja, siç e parashikon marrëveshja.

“Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë dorëzuar zarfe me dokumentacion zgjedhor, dorazi nga qytetarë, po ashtu dhe me postë tjetër”, thekson KQZ.

Në këto kushte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një kërkesë urgjente kompaninsë DHL, të cilës i kërkon të japë sqarime mbi disa parregullsi.

Kërkesa e KQZ për DHL:

“Në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi jeni të lutur të na dergoni URGJENTISHT, një raport në lidhje me këtë proces, referuar çështjeve si më poshtë:

1. Cilat janë strukturat dhe/ose personeli i angazhuar në këtë proces?

2. A i është deleguar ky proces subjekteve të treta? Nëse po, cila është marreveshja?

3. Sa është numri i zgjedhesve të cilëve nuk ju është dërguar njoftim për dërgesën postare të KQZ?

4. Cilat janë arsyet që kjo nuk është bërë?

5. Sa është numri i zgjedhesve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor?

6. Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dorëzuar personalisht në dorë dokumentacioni zgjedhor?

7. A e dispononi ju dokumentacionin provues të rasteve të dorezimit të dokumentacionit zgjedhor personalisht zgjedhësit?

8. Sa është numri i zgjedhesve të cilëve dokumentacioni zgjedhor ju është tërhequr në banese, pasi kjo ju është kërkuar nga zgjedhësi? A dispononi ju dokumentacionin provues për këto raste.

9. Sa është numri i zgjedhësve që e kanë dorëzuar/kthyer dokumentacionin zgjedhor në zyra apo qendra të tjera pritese të operatorit të sherbimit postar? Cili është domumentacioni provues për këtë rast?”.