“Presioni mbi drejtësinë i paprecedentë”, Komisioni Evropian: Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull pa mbushur standardet

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian përveç fjalëve dhe premtimeve të bukura, duket se do të ketë një rrugë të gjatë dhe plot sfida.

Komisioni Europian ka dërguar një “non-paper”, dokument i cili nuk është bërë publik, por që flet për gjendjen aktuale të Shqipërisë dhe domosdoshmërinë për të përmbyllur fillimisht kapitujt 23 dhe 24 të iniciuar më 15 tetor 2024.

“Non-paperi” i dërgohet grupeve të punës të cilat po merren me ecurinë e Shqipërisë me kapitujt negociues. Në “non-paper” thuhet se, “Progresi në grupin e kapitujve do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Kjo përfshin në veçanti përmbushjen e standardeve të përkohshme sipas kapitujve 23 dhe 24. Siç parashikohet nga Korniza Negociuese, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet përpara se Shqipëria të arrijë këtë objektiv”.

Dokumenti i Komisionit Europian ngre shqetësime serioze për sistemin e drejtësisë dhe presionit që i është bërë nga qeveria dhe legjislativi në kohën e arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit sulmoi hapur duke përdorur epitete nga më të ndryshmet ndaj prokurorëve të çështjes.

“Ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit në përgjithësi është përmirësuar, përpjekjet në rritje nga zyrtarët publikë ose politikanët për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor kanë shtuar shqetësimet. Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, nga GJKKO në shkurt të vitit 2025, shkaktoi reagime të papara publike nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë përpjekjet për të ushtruar presion mbi SPAK dhe institucionet gjyqësore. Kjo ngre shqetësime serioze. SPAK publikoi dy letra ankese drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për dështimin për të përforcuar sigurinë dhe për të siguruar sigurinë e personelit të SPAK gjatë një proteste jashtë ambienteve të SPAK”.

Në lidhje me fenomenin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dokument thiuhet se “

“Shqipëria ende nuk ka demonstruar një praktikë të besueshme dhe të qëndrueshme të nisjes së hetimeve financiare paralele në rastet që lidhen me krimin e rëndë dhe të organizuar”.

Krahas goditjes së korrupsionit, Komisioni Europian vlerëson SPAK edhe sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe sekuestrimit të aseteve.

“Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat e posaçme për korrupsion dhe krim të organizuar kanë dhënë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. SPAK shfaq një vizion të qartë strategjik dhe pavarësi në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias. SPAK gëzon një nivel të lartë besimi nga publiku.Është bërë përparim i prekshëm nga SPAK drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, ndërkohë që është përmirësuar përdorimi i hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurive”, thuhet më tej.

Të dhënat e Komisionit Europian nxjerrin në pah edhe mosveprimet e organeve ligjzbatuese në momente të caktuara kur vetë SPAK i ka kërkuar ndihmë, dhe një rast i tillë ishte tubimi i mbështetësve të Erion Veliajt, shkruan A2 CNN.

“SPAK publikoi dy letra ankese drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për dështimin në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjen e stafit të tij gjatë një proteste para godinës së SPAK”.