Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka bërë një deklaratë në rrjetin social X, ku akuzon grupin e Dritan Gjikës për një atentat të dështuar ndaj tij. Petro ka theksuar se ky grup kriminal drejton një nga linjat ndërkombëtare të trafikut të drogës, me bazë në Abu Dhabi.
Prokurori e lidh grupin e Dritan Gjikës me vrasjen e prokurorit paraguaian Marcelo Pecci në vitin 2022.
“Ky quhet karteli i trafikut të drogës, me qendër në Abu Dhabi. Ata kontrollojnë një rrjet prokurorësh dhe, nëpërmjet CTI-së, portin e Buenaventurës. Janë autorët e vrasjes së prokurorit paraguaian Pecci dhe kanë arritur të mbulojnë autorët e vrasjes brenda prokurorisë. Kanë tentuar të më bëjnë atentat pa sukses,” shkruan Petro në rrjetin social X.

Një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar shqiptar, Dritan Gjika, është arrestuar pak ditë më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga Njësia Kombëtare e Interpolit në Ekuador, me mbështetjen e homologëve të saj në Abu Dabi dhe Spanjë.
Gjika, është subjekt i dy Njoftimeve të Kuqe të Interpolit, dhe akuzohet për trafik droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për aktivitetin e tij të gjerë kriminal në Ekuador, Spanjë dhe vendet e tjera të Europës dhe Amerikës Latine.
Dritan Gjika kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, por më pas ndërtoi një strukturë të sofistikuar kriminale, që vepronte si rrjet ndërkombëtar për trafik droge drejt vendeve si Holanda, Belgjika, Spanja, dhe Amerika Qendrore.