Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Izrael, ku është pritur nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe një delegacion i madh zyrtarësh izraelitë.
Gjithashtu të pranishëm ishin Presidenti Izraelit Isaac Herzog, Ambasadori i SHBA-së në Izrael Mike Huckabee dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes përfundimtare të armëpushimit, së bashku me gruan e tij Ivanka Trump.
Trump dhe Netanyahu po udhëtojnë së bashku drejt ndërtesës së Knessetit në Jerusalem, teksa gjatë vizitës së tij, Presidenti amerikan do të marrë nderimet më të larta civile nga Egjipti dhe Izraeli.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi do t’i japë Urdhrin e Nilit Trumpit, i cili do të vizitojë edhe Egjiptin, “në shenjë vlerësimi për rolin e tij në mbështetjen e përpjekjeve për paqe, qetësimin e konfliktit dhe rolin e tij udhëheqës në ndalimin e luftës në Gaza”, sipas një deklarate nga presidenca egjiptiane.
Presidenti izraelit Isaac Herzog tha të hënën se Trump do të merrte nderin më të lartë civil të Izraelit, Medaljen Presidenciale të Nderit, në shenjë njohjeje të përpjekjeve të tij për të sjellë pengjet në shtëpi.
Herzog tha se Trump kishte “hedhur themelet për një epokë të re në Lindjen e Mesme të ndërtuar mbi sigurinë, bashkëpunimin dhe shpresën e vërtetë për një të ardhme paqësore”.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha se grupi i parë prej shtatë pengjesh të kthyera ka mbërritur në objektin ushtarak të Re’im, ku ata do t’i nënshtrohen një vlerësimi fillestar mjekësor dhe do të ribashkohen me familjet e tyre.
Pengjet e liruara shoqërohen nga personeli i Drejtorisë së Fuqisë Njerëzore të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe ekipet mjekësore të IDF në pikën e pritjes në Izraelin jugor, thuhet në deklaratën e IDF.
Ndërkohë, grupi i dytë i pengjeve të gjallë do të lirohet së shpejti nga militantët e Hamasit për Kryqin e Kuq, sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.