Prej 10 muajsh në burg/ Nis seanca për Fredi Belerin në GJKKO, sot jepet vendimi për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës

Ka nisur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, i arrestuar më 12 maj të 2023-it për shitblerje votash.

Mësohet se në ambientet në e GJKKO-së ka mbërritur edhe avokati i tij Geni Gjyzari. Në seancën e sotme është i pranishëm edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule dhe një përfaqësues nga ambasada greke në vendin tonë. Ndërkohë në ambientet e jashtme të gjykatës ndodhen edhe disa qytetarë në mbështetje të tij.

Për Belerin, SPAK ka kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg. Ndërsa për të pandehurin tjetër, Fredi Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit, SPAK ka kërkuar dy vite burg, të cilat i janë konvertuar në 4 vite shërbim prove, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërkohë ditën e djeshme Fredi Beleri u dërgoi një letër publike ambasadorit të BE në vendin tonë dhe atij amerikan.

Në letër, Beleri thekson se policia e vuri nën përgjim atë dhe stafin e tij për 5 ditë me radhë dhe duke qenë se nuk zbuluan veprime të kundraligjshme, sajuan dëshmitarë të rremë.

Ndër të tjera, në letrën e tij drejtuar Silvio Gonzatos dhe David Wisner, Beleri shprehet se kjo nuk mund të jetë drejtësia që BE dhe SHBA kanë investuar për vendin tonë.