Prapaskenat e investimit të familjes Trump, si Rama ndryshoi qëndrim për 48 orë

Në datën 15 mars, media amerikane Bloomberg publikoi një intervistë të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, në të cilën thuhej se ky i fundit “është në bisedime të avancuara”, për një superinvestim që kalon 1 miliard dollar, në ishullin e Sazanit.

Lajmi u shpërnda shpejt nëpër mediat shqiptare, të cilat cituan atë amerikane, duke qenë se qeveria shqiptare nuk kishte dhënë asnjë informacion në lidhje me këtë projekt, ndryshe nga herët e tjera ku investimet “e mëdha” i reklamon vetë kryeministri apo ministrat.

Duket se dhëndri i Trump “i kishte vënë syrin” ishullit që në verën e vitit 2021, kur ai dhe gruaja Ivanka, shëtitën me helikopter gjithë jugun e Shqipërisë, ku ndër të tjera u ndalën dhe përshkuan edhe Sazanin.

Vetëm pak orë pas publikimit të këtij lajmi, kongresmeni Robert Garcia, një demokrat nga Kalifornia, ngriti menjëherë akuza në rrjetin social X për korrupsion.

Kushner është dhëndri i ish-presidentit Donald Trump dhe ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi Affinity, i cili tani ka asete prej 3.1 miliardë dollarësh.

Projekti i investimit vinte direkt pasi firma mori 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF).

Deklarata akuzuese e Garcias pasoi me një investigim nga New York Times, ku hidheshin dyshime për një tendence korruptive të administratës Trump dhe familjes së ish presidentit. Kushner hodhi poshtë çdo sugjerim se ai po merrte një trajtim të veçantë për shkak të lidhjeve të tij qeveritare, duke thënë për Times, “Askush nuk po më dhuron marrëveshje”.

Ai tha se marrëveshjet e tij nuk janë në asnjë mënyrë të lidhura me Trump dhe se ai nuk po planifikonte të kthehej në qeveri nëse Trump fiton presidencën në nëntor. Kushner mohoi se kishte ndonjë konflikt interesi me PIF dhe hodhi poshtë shqetësimet rreth pranimit të fondeve nga princi saudit i kurorës duke e quajtur vendin arab “një nga investitorët më prestigjiozë në botë”.

Dy ditë pas këtij artikulli, kryeministri Rama pohoi se kishte negociuar me dhëndrin e Trump.

Zëri i Amerikës ishte interesuar për përgjigjen e qeverisë shqiptare në lidhje me investimin, ndërsa Ministria e Kulturës dhe e Mjedisit kishte dhënë një përgjigje me takt. Vërtet konfirmohej dera e hapur për investitorin, por gjithsesi thuhej se “sipas ligjit, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime”.

Kjo lloj përgjigje lë të kuptohet se vendimmarrja është e një natyre institucionale që merr kohën e vet në bazë të punës që bëhet për verifikimet përkatëse.

Këtë natyrë të trajtimit të një çështjeje shtetërore, e zhbëri pas 24 orësh kryeministri Edi Rama gjatë asamblesë së Partisë Socialiste në Gjirin e Lalzit.

Rama u zhvesh nga “korrektësia” me të cilën iu përgjigj Zërit të Amerikës dhe konfirmoi me arrogancën e zakonshme se për investimin është rënë dakort dhe kushdo që e kundërshton, është ose delirant, ose gojështhurur, ose shpifës.

E vërteta që ka rëndësi në këtë mes nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, e cila ka ndërtuar një dyzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s, në Azi dhe Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është që Shqipëria kampione e turizmit në rajon në 2030 nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërme të ndritur, por një projekt gjeopolitik dhe ekonomik që po formësohet me plane dhe masa konkrete që krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik” u shpreh Rama, duke mohuar edhe fakti se Sazani ishte pjesë e zonave të mbrojtura.

Por çfarë parashikon projekti?

Kompania me bazë në Majami planifikon të transformojë ishullin e Sazanit në Shqipëri, ku më parë ngrihej një bazë ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman, tha Kushner në një intervistë me Bloomberg News.

Affinity po kërkon gjithashtu të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit po në Shqipëri, një rajon bregdetar me më shumë se tre milje plazhe me rërë të bardhë të thellë. Firma planifikon të ndërtojë disa resorte kryesore në zonë, duke shkuar deri në afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli.

Vënia në dispozicion e sipërfaqes së tokës do të bëhet nëpërmjet ligjit për investitorët strategjikë, pra do të jepet falas.

Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacenuara dhe unike që kam parë kudo në botë,” tha Kushner. Firma siç e përmendëm më lart, mbështetet nga investitorë nga shtete të Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

Por një detaj tjetër është se në “Aman Group” rezulton të jetë emëruar në vitin 2022 si drejtor global për çështjet e sigurisë Charles McGonigal, ish-zyrtari i lartë i FBI-së.

Ky i fundit është dënuar nga Gjykata federale e Washington-it për lidhjet me Rusinë dhe korrupsionin për llogari të qeverisë shqiptare.

Në një seancë gjyqësore shtatorin e kaluar Charles McGonigal pranoi se ka marrë 225 mijë dollarë nga ish-agjenti i shërbimit sekret shqiptar, Agron Nezaj për të lobuar kundër kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe se ka takuar shefin e qeverisë shqiptare, Edi Ramën.

Sakaq revista e njohur amerikane Newsweek pak pas publikimit të lajmit shkroi se Jared Kushner u përball menjëherë me akuza për korrupsion nga kongresmeni Robert Garcia, një demokrat nga Kalifornia. “Marrëveshjet e reja të dhëndrit të Trump me Shqipërinë, ndezin akuza për ‘korrupsion‘”- ishte titulli i shkrimit në revistën prestigjoze.

Megjithatë mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur dyshime për ndikimet politike në këtë projekt, e madje edhe për konflikt interesi, sidomos pasi Trumpi po tenton tjetër mandat në krye të SHBA-së. Në projektet e Jared Kushnerit është përfshirë edhe Richard Grenelli, ish-emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Sipas mediumit prestigjioz gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, realizimi i këtij projekti potencial mund të ketë pasoja të mëdha, teksa ka përmendur edhe “marrëveshjen e planifikuar” për ndarjen e Kosovës.

Në shkrim thuhet se për Ramën dhe Vuçiçin, një mbështetje e tillë mund të rezultojë e dobishme politikisht nëse Trumpi rikthehet në pushtet, porse kjo lidhje mund të jetë e rrezikshme për mbarë rajonin nëse ajo shërben për të ripërtrirë idenë e ndarjes së Kosovës.

Artikulli shton se marrëdhëniet e mira për paktet familjare të biznesit me presidentin e ardhshëm të mundshëm të Shteteve të Bashkuara mund t’i hapin rrugën Ramës dhe Vuçiçit për të ringjallur planin e tyre origjinal.

Ndërkohë në vazhdën e këtyre lajmeve, ditën e martë në Tiranë erdhi edhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit Todd Robinson, i cili u takua me kryeministrin Edi Rama por njëkohësisht edhe me kreun e SPAK, Altin Dumani.

Vizita e tij erdhi edhe pas shqetësimeve dhe sinjaleve në rritje të agjencive ligjzbatuese të DASH për paratë që kanë hyrë në Shqipëri, në mënyrë informale dhe që po “pastrohen” në sektorin e ndërtimeve në vend.

Po ashtu kryeministri Edi Rama, duket se shfrytëzoi një takim me krerët e qarqeve për të dalë në media dhe të japë një deklaratë mbi investimin luksoz të dhëndrit të Trump.

Mes gjithë tymnajës, Rama duket se bëri një tërheqje, duke thënë se kompania e interesuar ka bërë një aplikim në AIDA dhe shtoi se projekti do të shqyrtohet nëse “përputhet me ekuilibrin e zhvillimit dhe atë të mbrojtjes së natyrës”.

Megjithatë ai e quajti projektin “një ofertë fantastike me një potencial të jashtëzakonshëm”.

Por kjo deklaratë e tij bie ndesh duke qenë se vetë socialistët ndryshuan ligjin për zonat e mbrojtura, ku pjesë e përfitimit është edhe projekti i dhendrit të Donald Trump për resortin ne Sazan. Por mbi të gjitha, Rama ndryshoi mendim për 48 orë, duke dhënë qëndrime të ndryshme.

Por ajo çfarë ra në sy është fakti se opozita hezitoi të mbante një qëndrim të qartë për çështjen. Madje kreu i grupit të PD Gazment Bardhi tha se mbështesin në parim çdo investim të huaj. Por ndoshta opozita ka “mbyllur gojën” pasi në lojë është dhëndri i Donald Trump, të cilin e konsiderojnë si “aleat” dhe shpresojnë që do t’i heqë “non grata-n” ish-kryeministrit Sali Berisha, nëse fiton zgjedhjet e nëntorit.

Po ashtu edhe Richard Grenell, është një personazh i afërt me Rithemelimin, por gjithashtu edhe se në këtë nismë janë të përfshirë edhe biznesmenë shqiptarë që e financojnë atë.

E fundit por jo për nga rëndësia, nuk është aspak çudi që marrëveshje të tilla të dalin si një rrufe në qiell të hapur për shqiptarët.

Kryeministri Edi Rama e ka bërë edhe më përpara, si me Portin e ri të Durrësit apo marrëveshjen me emigrantët me Giorgia Melonin e Italisë.

Në vitin 2022, Kuvendi fut me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen sekrete, për portin e jahteve në Durrës.

Të njëjtën rrugë ndoqi edhe për marrëveshjen me emigrantët me Italinë, për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shëngjin dhe në Gjadër, teksa askush nuk dinte asgjë për negociatat mes tij dhe kryeministres italiane.