Postimi që “çoroditi” Gjykatën e Posaçme, si avokati Artan Simoni sulmoi Berishën 2 ditë më parë në rrjetet sociale

Braktisja e seancës nga dy avokatët e Sali Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, detyroi Gjykatën e Posaçme të caktonte një avokat nga shteti për të mbrojtur ish-kryeministrin, dhe për këtë detyrë u caktua avokati Artan Simoni.

Seanca e parashikuar të niste dje në orën 14:30 u shty për dy orë, për t’i lënë kohë Simonit të njihej me dosjen. Por një postim në rrjetet sociale i ka kushtuar shumë avokatit, duke bërë që të humbë të drejtën për të mbrojtur ish-kryeministrin në seancën gjyqësore.

Shkëlzen Berisha, djali i Sali Berishës, ka qenë ai që ka publikuar postimin e Artan Simonit, i cili vetëm 2 ditë më parë shkruante: “Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante në kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin”.

Sipas djalit të ish-kryeministrit, këto fjalë i drejtohen babait të tij, ndaj ka ironizuar edhe zgjedhjen e GJKKO-së, teksa thotë se më mirë do të ishte që avokat të ishte Taulant Balla, pasi e njeh edhe dosjen. “Ky eshte “avokati” qe gjykatesja qe shkeli kushtetuten ka caktuar per te mbrojtur Sali Berishen! Do i kisha sugjeruar me mire Taulant Ballen se njeh dhe dosjen”, shkruan Shkëlzen Berisha.

Seanca e radhës pritet të fillojë në orën 10:00, teksa Sali Berishën do ta mbrojë një avokat tjetër i caktuar nga shteti.

Ish-kryeministri akuzohet për “korrupsion pasiv” në privatizimin e kompleksit Partizani. GJKKO ka caktuar masë sigurie “detyrim paraqitje”, por Berisha refuzon të dëshmojë, pasi sipas tij ëhstë shkelur Kushtetuta, sepse Gjykata nuk ka marrë leje nga Kuvendi për hetimin ndaj tij.

Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhet nën masën e sigurisë :arrest me burg”, pasi akuzohet për korrupsion aktiv. E njëjta akuzë edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi, por mosha e tij ka detyruar gjykatën që të japë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.