Postimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë për zgjedhjet e 11 Majit, ku uroi vetëm me një fjali popullin shqiptar dhe nuk përmendi as kryeministrin Rama dhe as Partinë Socialiste për fitoren e zgjedhjeve, ngjalli reagime të shumta.
Një pjesë e madhe e analistëve e panë këtë si një mesazh të qartë se SHBA nuk pajtohet plotësisht me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet, pas denoncimeve të shumta të opozitës dhe raportit të ODIHR për standardet e zgjedhjeve parlamentare.
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, ishte fjalia e vetme me të cilën ambasada e SHBA zgjodhi të reagojë për zgjedhjet aq shumë të kontestuara nga ana e opozitës.
Por, pas atij mesazhi të 2 ditëve më parë, sot ka ardhur një tjetër postim, që duket sikur është një tjetër mesazh i fshehur dërguar kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.
Ambasada amerikane ka publikuar një pjesë të shkurtër nga fjala e Zv. Sekretarit të Shtetit Christopher Landau në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të mbajtur në 23 Maj të këtij viti.
Por, edhe pse kanë kaluar shumë ditë nga ky fjalim, Ambasada amerikane vendosi ta publikojë pikërisht sot, pas atij postimi të mëparshëm për zgjedhjet parlamentare.
Dhe, nga një fjalim i gjatë i Zv.Sekretarit Landau, është zgjedhur vetëm një pjesë e shkurtër, por që duket se bie qartë mbi kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij.
“Shtetet e Bashkuara mund të jenë një partner i gatshëm me kapital të konsiderueshëm politik. Mund të punojmë shumë; por do të punojmë vetëm me ata që janë të përkushtuar ndaj një realizmi praktik për vendet e tyre. Ne i refuzojmë të dy ekstremet e papranueshme të dëshirës për një transformim të jashtëzakonshëm, nga njëra anë, ose të rishikimit të ankesave të lashta, nga ana tjetër. Politika e pafundme dhe e zgjeruar, pa kufizim dhe përulësi historike, bëhet një armik i strategjisë dhe i shtetndërtimit kushtetues. Ky nuk është qëllimi ynë, funksioni ynë, apo misioni ynë”, thuhet në pjesën e parë të fjalës së përzgjedhur nga ambasada.
Por le t’i marrim me radhë fjalitë:
“Mund të punojmë vetëm me ata që janë të përkushtuar ndaj një realizmi praktik për vendet e tyre”
Kjo fjali nën kupton se SHBA nuk pranon të punojë me liderë të vendeve që ndjekin axhenda personale dhe e kanë kthyer shtetin në një pronë të tyre, siç po bën kryeministri Rama, që po ndjek një model qeverisës që favorizon vetëm një grush njerëzish.
“Refuzojmë të dy ekstremet: dëshirën për transformim të jashtëzakonshëm ose rishikimin e ankesave të lashta”
Transformimi i jashtëzakonshëm nënkupton promovimin e ndryshimeve të mëdha vetëm për të imponuar kontrollin e qeverisë mbi qytetarët, ose për të prodhuar spektakël politik. Këtë të fundit PS dhe kryeministri Rama dinë ta bëjnë më së miri. Ndërsa ndryshimet e mëdha, ia k shprehur te Drejtësia e re dhe pasaporta europiane, që sipas ramës do t’i sjellë Shqipërisë miliarda euro më shumë.
Ndërsa rishikimi i ankesave të lashta duket të jetë një thumbim direkt për kreun e qeverisë, që përdor krahasimet me qeverisjet e mëparshme për t’u viktimizuar dhe për të legjitimuar veprimet e qeverisë sot.
“Politika e pafundme dhe e zgjeruar, pa kufizim dhe përulësi historike, bëhet një armik i strategjisë dhe i shtetndërtimit kushtetues”
Kjo fjali është mëse e qartë, pasi zgjedhjet e 11 Majit i dhanë Ramës jo vetëm mandatin e katërt, por edhe një pushtet të pamenduar më parë, pasi 83 mandatet e PS-së, duke i shtuar edhe 3 të PSD-së, i japin mundësi të miratojë ligje që kërkojnë 3/5 e Parlamentit.
Dy postime të njëri pas tjetrit që godasin direkt qeverinë dhe kryeministrin Rama nuk mund të jenë rastësi. Në këtë klimë politike të tensionuar, është e qartë se partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA, po zgjedhin një mënyrë të matur por të qëllimshme për të shprehur qëndrimet e tyre ndaj zhvillimeve në Shqipëri.